Është publikuar raporti i Departamentit të Shtetit Amerikan për të drejtat e njeriut në Kosovë, ku ndër tjerash flitet edhe për dhunimet dhe dhunën në familje dhe dështimin e qeverisë në zbatimin me efikasitet të ligjit për rastet e tilla, shkruan Gazeta Metro.
Në këtë raport thuhet se ligji e kriminalizon dhunimin dhe dhunën në familje, dhe pse sipas ligjit dhunimi dënohet prej 2 deri në 15 vjet burg, porse qeveria nuk e zbatoi ligjin në mënyrë efektive.
Në raport deklarohet edhe se, EULEX’i ka theksuar se gjykatat shpesh kanë shqiptuar dënime më të buta së dënimi më i ulët ligjor për rastet e dhunimit.
‘’Dhunimi dhe dhuna në familje: Ligji e kriminalizon dhunimin dhe dhunën në familje pavarësisht gjinisë, përfshirë dhunimin e një të afërmi/afërmeje ose të bashkëshortit/bashkëshortes. Sipas ligjit, dhunimi dënohet prej 2 deri 15 vjet burg. Qeveria nuk e zbatoi ligjin në mënyrë efektive. EULEX-i theksoi se gjykatat shpesh shqiptonin dënime më të buta se dënimi më i ulët ligjor për rastet e dhunimit dhe se organet për zbatimin e ligjit rrallë ndërmerrnin masa për t’i mbrojtur të mbijetuarit dhe dëshmitarët. Përveç kësaj, këto dënime shpesh uleshin nga Gjykata e Apelit. Rastet e dhunës në baza gjinore, përfshirë dhunën seksuale dhe dhunimin, rrallë raportoheshin nga të mbijetuarit, shpesh për shkak të stigmës shoqërore ose mungesës së besimit në autoritete. Deri në shtator, prokurorët hetuan 160 raste të dhunimit ose të dhunës seksuale dhe ngritën 38 aktakuza’’, thuhet në raport.
‘‘Ligji e konsideron dhunën në baza gjinore si formë të diskriminimit, por i mungon një përkufizim i dhunës në baza gjinore për t’u përdorur në procedurat penale dhe civile. Zyra e Prokurorisë për Mbrojtjen e Viktimave ndihmoi në sigurimin e qasjes në drejtësi për të mbijetuarit e të gjitha krimeve, me fokus të veçantë në të mbijetuarit e dhunës në familje, trafikimit të personave, abuzimit të fëmijëve dhe dhunimit. Zyra për Ndihmë Viktimave operonte një linjë të ndihmës 24/7 me shërbime të kufizuara në gjuhën serbe, rome, turke dhe boshnjake. Përveç kësaj, secila prokurori kishte një prokuror të specializuar për trajtimin rasteve të dhunës në familje, ndërsa Prokuroria Themelore e Prishtinës themeloi një Njësi kundër dhunës në familje me katër prokurorë. Në shtator, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit caktoi koordinatorë për krimet seksuale në secilën prokurori. Prokurorët inkurajoheshin të përdornin mjete për vlerësim të rrezikut për ta ulur rrezikun e abuzimit të ardhshëm dhe për të rekomanduar dënime më të ashpra për recidivistët dhe shkelësit e urdhrave mbrojtës’’, shtohet në raport.
Pos kësaj, në raportin e DASH’it, theksohet se, shkalla e ndjekjes penale ka qenë e ulët dhe dënimet shpesh janë ulur në apel.
‘‘Policia i hetonte rastet e dhunës në familje para se t’i dërgonte ato te prokurorët të cilët vendosin për ngritje të akuzave. Mirëpo, shkalla e ndjekjes penale ishte e ulët dhe dënimet shpesh uleshin në apel. Avokatët dhe vëzhguesit e gjykatave pohuan se prokurorët dhe gjykatësit favorizuan bashkimin e familjes ndaj mbrojtjes së të mbijetuarve, me urdhra mbrojtës që ndonjëherë e lejonin kryesin të qëndronte në shtëpinë familjare gjersa rasti ishte në procedim. Dënimet silleshin prej vërejtjeve gjyqësore deri në dënim me burg deri në pesë vjet. Qeveria u siguroi financim të pjesshëm 10 strehimoreve të OJQ-ve që u ndihmonin grave dhe fëmijëve të mbijetuar të dhunës në familje dhe të trafikimit me njerëz, por nuk kishte në dispozicion strehimore për të mbijetuarit e dhunimit dhe të formave të tjera të dhunës seksuale, si dhe për shumicën e lezbikeve, homoseksualëve, biseksualëve, transgjinorëve, pederastëve dhe interseksualëve (LGBTQI+). Qeveria mbajti një linjë buxhetore për mbështetjen financiare të strehimoreve dhe OJQ-të raportuan për marrje me kohë të fondeve. Strehimoret u ndihmonin grave të mbijetuara dhe fëmijëve të tyre deri në gjashtë muaj. Djemtë mbi moshën 12-vjeçare nuk lejoheshin të qëndronin me nënat e tyre në strehimore, por vendoseshin veçmas në strehimoret për fëmijët e mbijetuar nga abuzimi. Qeveria mbajti procedura standarde operative për mbrojtjen nga dhuna në familje, por strehimoret nuk kishin udhëzues të unifikuar për menaxhimin e rasteve për t’i standardizuar operacionet dhe shërbimet’’, vlerësohet në raport.
RAPORTIN E PLOTË MUND TA GJENI KËTU:
Në raport përmendet edhe rasti i dhunimit të 11-vjeçarës dhe vrasja e shtatzënës 35-vjeçare.
‘‘Në gusht, një vajzë 11-vjeçare u dhunua në një park të qytetit në Prishtinë. Pesë persona u arrestuan dhe u mbajtën një muaj në paraburgim. Policia konfirmoi se katër nga të dyshuarit ishin të mitur. I dyshuari tjetër ishte 27-vjeçar që kishte nëntë aktakuza të mëparshme penale, përfshirë një për dhunë në familje. Mediat raportuan se i dyshuari i rritur ishte dënuar me kusht për disa vepra të mëparshme, ndërsa akuzat e tjera u hoqën pasi ishin parashkruar. Incidenti shkaktoi protesta mbarëkombëtare kundër mosveprimit të perceptuar të policisë dhe gjyqësorit. Në dhjetor, prokurorët ngritën padi kundër pesë të dyshuarve, duke i akuzuar për trafikim të njerëzve, përdorim të shërbimeve seksuale të një viktime të trafikimit, dhunim dhe pornografi të fëmijëve. Në nëntor, një shtatzënë 35-vjeçare u vra para një spitali në Prishtinë. I dyshuari, bashkëshorti i saj, i iku arrestimit dhe bëri vetëvrasje dy ditë më vonë. Policia konfirmoi se viktima kishte raportuar edhe më parë raste të dhunës në familje dhe kishte qenë nën një urdhër mbrojtës që nga shtatori. Në dhjetor IPK-ja rekomandoi suspendimin e katër policëve për keqpërdorim të autoritetit publik, falsifikim të dokumenteve zyrtare dhe moszbatim efektiv të urdhrit mbrojtës. Ky incident nxiti protesta në mbarë vendin. Si përgjigje, presidentja mbajti një takim, në dhjetor, me Këshillin për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, krerët institucioneve qeveritare dhe përfaqësues të shoqërisë civile për t’i identifikuar rekomandimet për ta luftuar vrasjen e grave dhe të vajzave dhe dhunën në familje. Në prill, qeveria ia vazhdoi mandatin komisionit të saj për identifikimin dhe njohjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale të lidhur me konfliktin edhe për tri vjet, por nuk e zgjati njëkohësisht afatin kohor për të mbijetuarit për të aplikuar ose për të marrë kompensim financiar. Ligji nuk njeh asnjë akt të dhunës seksuale që ka ndodhur pas ndërhyrjes së NATOs në qershor 1999 si akt të lidhur me konfliktin dhe nuk ofron qasje falas ose adekuate në shërbimet shëndetësore. Komisioni u ka dhënë pensione më shumë se 1.342 grave që nga viti 2018, përfshirë 284 gjatë vitit që nga shtatori. Organizatat e shoqërisë civile që punojnë me të mbijetuarit e dhunës seksuale të lidhur me konfliktin dhe të autorizuara për ta ndihmuar procesin e aplikimit të të mbijetuarve kanë vënë në dukje ritmin e ngadaltë të komisionit qeveritar në shqyrtimin e aplikacioneve. PSRK-ja e caktoi një prokuror për rastet e dhunës seksuale të kohës së konfliktit. Policia e themeloi një njësi për rastet e krimeve të luftës, përfshirë rastet e dhunës seksuale të kohës së konfliktit’’, thuhet në raport. /gazetametro.net
The @StateDept‘s 2022 Human Rights Report on Kosovo is now available in English: https://t.co/6tMtfz630v, Albanian: https://t.co/AxyEzPYJmg and Serbian: https://t.co/kzlJ7oO2pw. Read it to find out more about the state of #HuamanRights in Kosovo during 2022. #2022HRR pic.twitter.com/qazD241Sus
— U.S. Embassy Pristina (@USEmbPristina) March 27, 2023