Një incident i pazakontë ka ndodhur gjatë një ndeshjeje kriketi në Newcastle të Anglisë, ku një dem i arratisur hyri në fushën e lojës dhe shkaktoi ndërprerjen e aktivitetit sportiv.
Ngjarja ndodhi të shtunën në Burnopfield Cricket Club, gjatë përballjes me Hetton Lyons Cricket Club. Pamjet e publikuara nga klubi mysafir tregojnë kafshën duke vrapuar drejt lojtarëve dhe arbitrit, duke krijuar momente paniku.
Sipas raportimeve, demi ishte larguar nga një fermë në afërsi. Përpjekjet për ta larguar nga fusha rezultuan të pasuksesshme, ndërsa edhe pronari, i cili solli një lopë për ta qetësuar, nuk arriti ta bindte të largohej.
Për shkak se kafsha vazhdoi të qëndronte në fushë, organizatorët u detyruan ta anulonin ndeshjen. Më vonë, Policia e Durhamit bëri të ditur se demi u kthye i sigurt në hapësirën ku mbahej.