Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, me një postim në rrjetin social Facebook, ka reaguar për raportin se qeveria nën udhëheqjen e Albin Kurtit ka performancën më të ulët për shpenzimet kapitale për periudhën janar-qershor, krahasuar me qeveritë e kaluara, sipas Abdixhikut kjo shifër është më ulëta në dekadën e fundit, dhe krejt kjo po vie si rezultat i mendësisë së kësaj qeverie, shkruan Gazeta Metro.
Sipas shefit të LDK’së, shpenzimet për projekte kapitale janë më të ulëtat në dekadën e fundit.
Abdixhiku ia përmendi edhe premtimet e kryeministrit që i kishte bërë në fushatë zgjedhore, siç janë strehimi social, banka zhvillimore etj.
Ai tha se mendësia e kësaj qeverie ka lënë mbrapa Kosovën në tempon e zhvillimeve krahasuar me vendet e rajonit.
Postimi i plotë:
Realizimi i investimeve kapitale në Kosovë është më i ulëti në gjithë dekadën e fundit. Po kalon viti i dytë qeverisës, vera e dytë e kohës së punimeve, dhe asnjë projekt kapital nuk po merr formë në vendin tonë. As edhe një shenjë e lënë.
Kur keni parë kryeministrin e Kosovës të fillojë, përurojë apo edhe të flasë për ndonjë projekt madhor kudo në Kosovë? Cilën vendpunishte me punëtorë e ka nisur ai apo kjo Qeveri deri më sot? Premtimet e 40 çerdheve në Kosovë, të 4000 banesave sociale, të rrugëve rajonale, bankave zhvillimore e aseteve sovrane – nuk kanë filluar as edhe në letër. Dhe për aq sa merr kohë një projekt të nis e përfundojë, edhe dy verat e ardhshme të këtij mandati do të shkojnë pa asnjë shenjë të lënë.
Kosova ka nevojë për zhvillim; e zhvillimi nuk mund të reduktohet në disa transakcione bankare të skemave sociale. S’është ekonomia kaq e thjeshtë e shteti s’është vetëm bankë. Kosova megjithatë ka nevojë për projekte të guximshme dhe të mëdha; për investime kapitale në spitale, shkolla, infrastrukturë rrugore, stadiume, salla kulturore e në energji – në pothuajse çdo fushë të jetës publike.
Fukarallëku mendor i kësaj Qeverie po prodhon tkurrje kolektive të gjithë shoqërisë sonë. Kosova sot duket e trishtë krahasuar me tempon e punimeve në secilin shtet në rajon. E në mungesë të projekteve kapitale, le të mjaftohemi me foto shëtitëse, arrogancë qeverisjeje e arsyetime të 20 viteve të shkuara. Është më e lehtë kjo./gazetametro.net