Është suspenduar nga puna rreshteri i Mbrojtjes së Afërt, G.M., pasi i njëjti ishte deklaruar për rastin që fillimisht u raportua si sulm ndaj eskortës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, nga kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, më 31 janar, transmeton Gazeta Metro.
Siç raporton VOX Kosova nga burimet e saj, rasti ka ndodhur pasi rasti u publikua në Radio Televizionin e Kosovës.
Kurti, në KTV para disa javësh deklaroi se Lushtaku, me veturën zyrtare kishte tentuar të shkaktonte një incident në komunikacion me eskortën zyrtare.
Kjo deklaratë u mohua nga Sami Lushtaku, çka më pas rezultoi me publikimin e raportit policor nga Televizioni Publik i Kosovës. Raporti përfshinte deklaratën e rreshterit G.M., i cili kishte thënë se “vetura e dyshuar (e Sami Lushtakut) ka bërë vetëm kyçje të vrullshme, por nuk ka rrezikuar eskortën e kryeministrit Albin Kurti”.
Megjithatë, ky deklarim duket se i kushtoi me suspendim.
Sipas burimeve të VOX Kosova, masa nuk është ndërmarrë nga Inspektorati Policor i Kosovës, por drejtpërdrejt nga Policia e Kosovës, institucion që mbikëqyret nga Ministria e Punëve të Brendshme, e udhëhequr nga Xhelal Sveçla./gazetametro.net