Loading…

Dekanja e Mjekësisë arsyeton mungesat e asistentes së Farmacisë që mori pagë pa punuar

  • 29/03/2017 | 17:55

Dekanja e Mjekësisë arsyeton mungesat e asistentes së Farmacisë që mori pagë pa punuar

Dekanja e Mjekësisë arsyeton mungesat e asistentes së Farmacisë që mori pagë pa punuar .


Dekanja e fakultetit të Mjekësisë Suzana Manxhuka del se ka qenë në dijeni se asistentja e degës së Farmacisë, Rozafa Koliqi, nuk po zhvillonte orët e saj në fakultet. Ajo i ka arsyetuar mungesat me pakënaqësitë në kontratën e asistentes me UP’në, të cilës Rektorati në vendimin e 9 nëntorit 2016 thotë se ia vazhdoi për të ligjëruar një lëndë për të cilën Koliqi nuk kishte konkurruar. Rektorati mungesat e Koliqit nuk i justifikon, derisa kjo e fundit thotë se pse është paguar përkundër se nuk ka punuar “është pyetje për Rektoratin, dhe jo për mua”.

Në ditën kur Rektorati i Universitetit “Hasan Prishtina” pranoi raportin e auditorit për verifikimin e mbajtjes së mësimit dhe pagesës së pagës për asistenten e Degës së Farmacisë në Fakultetin e Mjekësisë, Rozafa Koliqi, dekanja e këtij fakulteti Suzana Manxhuka-Kerliu i shkroi një letër rektoratit ku e njoftoi se asistentja nuk ka mbajtur ligjëratat në UP, gjatë tetorit dhe nëntorit, për shkak të disa pakënaqësive me kontratën.

Raporti i Auditorit rezultoi me të gjetura skandaloze sesi asistentja Koliqi nuk kishte ligjëruar muaj të tërë në Fakultetin e Mjekisë, përkundër se rrogën e ka marrë të plotë, hiç më pak se 698.75 Euro në muaj.

Lista të regjistrimit të studentëve pa asnjë nënshkrim, herë identike me studentë e nënshkrime të njëjta, e në raste hiç fare, ishin po ashtu shkeljet që gjeti auditori derisa verifikoi mbajtjen e mësimit dhe pagesës së pagës për asistenten e Farmacisë, Rozafa Koliqi, që rektorati i pranoi me 6 dhjetor 2016.

Dekanja e fakultetit, Suzana Manxhuka në letrën që i dërgoi rektorit Marjan Dema, pikërisht në të njëjtën ditë, konfirmon mungesat që përmenden në raport. Por, ajo thotë se asistentja Rozafa Koliqi kishte njoftuar atë për t’ia ndërprerë kontratën pasi ajo ishte ngarkuar me ligjërimin e një lende për të cilën nuk kishte konkurruar. E fajin se pse mori pagë Koliqi edhe pse nuk mbajti mësim, Manxhuka ia hedhë Zyrtares për mësim në Fakultetin e Mjekësisë.

“Zyrtarja për mësim në FM nuk ka ardhur me kohë t’i raportojë për të gjithë personelin akademik zyrtares për financa mbi vijueshmërinë e procesit mësimorë me qëllim të realizimit të pagesës për muajt tetor dhe nëntor 2016”, thuhet në letrën e dekanes të drejtuar rektorit me 6 dhjetor 2016.

“Sa i përket pyetjes se pse pagat janë paguar pavarësisht vendimeve kundërthënëse, kjo është pyetje për Rektoratin, dhe jo për mua”, thotë Koliqi në reagim.

“Sa i përket pagës së pranuar përgjatë muajve tetor-nëntor 2016, ishte vet Rektorati i UP-së ai që nuk kishte nxjerrë ende Vendim deri me datën 09.11.2016 për mua në mënyrë që t’i mbajë orët e ushtrimeve në lëndën “Informatikë Farmaceutike”. Prandaj, është e lehtë të kuptohet se pse nuk kam marrë pjesë në ushtrime dhe pse të njëjtat janë paraqitur si 0. Në anën tjetër, për lëndën e njëjtë tashmë ishte emëruar një Asistent tjetër, i cili veçse ishte duke i mbajtur po ato ushtrime. Për shkak të përmbajtjes së pavërtetë të dy vendimeve, unë kam bërë dy ankesa ne Komisionin për ankesa pran UP-ës dhe jo vetëm që nuk kam marrë asnjë përgjigje, por unë jam suspenduar nga puna si rezultat i reagimit tim dhe kërkesës time që të më ndërpritet paga deri në shqyrtmin e këtyre vendimeve me përmbajtje të pavërtetë”, thotë ndër-tjera asistentja Koliqi në reagimin e saj.

Nga ana tjetër, në përgjigjet e Rektoratit për Gazetën Express potencohet se lidhur me mos mbajtjen e mësimit apo mungesat në punë, Dekanja e Fakultetit të Mjekisë e ka pasur për obligim ta njoftojë Menaxhmentin e UP’së me një shkresë të veçantë zyrtare e njëkohësisht vetë të iniciojë procedurë disiplinore. Sipas tyre, një gjë e tillë ka ndodhur vetëm në ditë kur auditori ka mbërritur në fakultet.

“Duhet pasur parasysh që Rozafa Koliqi edhe para datës së vendimit të Senatit të datës 9.11.2016 kishte kontratë pune valide, prandaj mungesa në punë për periudhën para këtij vendimi është plotësisht e pajustifikueshme”, thuhet në përgjigjet e Rektoratit.

“Mungesa për një periudhë dy mujore pa leje të organeve kompetente të UP-së dhe njëkohësisht marrja e pagës së plotë ka detyruar rektorin që të përmendurës t’ia ndërpres marrëdhënien e punës”, kanë justifikuar në Rektorat vendimin për largimin nga UP’ja të asistentes Koliqi.

E ndryshe pretendon Dekanja Suzana Manxhuka-Kerliu. Ajo përkundër se në letrën e që në dhjetor i drejtoi rektorit fajësoi Zyrtaren për Mësim të Fakultetit të Mjekësisë se nuk ka raportuar Zyrtaren për Financa mbi vijueshmërinë e personelit akademik, në përgjigjen e saj për Gazetën Express thotë se rektorati ka qenë i njoftuar për mos mbajtjen e orëve të mësimit nga asistentja Koliqi, e cila sipas saj kishte kërkuar edhe ndërprerje të kontratës.

“Ajo ka informuar Rektoratin për mos mbajtjen e mësimit dhe ka kërkuar ndalesën e pagës. Në vitin akademik 2015/2016 asistentja në fjalë e ka mbajtur mësimin duke e mbushur normën e saj me 19 orë në javë të shpërndara gjatë 2 semestrave të vitit akademik”, thotë Manxhuka në përgjigjet që ia dha Gazetes Express tek pas publikimit të raportit të auditorit.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë