Opinionisti Ilir Deda i sheh si lëvizje të dëshpëruara dhe të vonuara tentativat e fundit të Kryeministrit Albin Kurti për të joshur opozitën me poste, transmeton Gazeta Metro.
Sipas tij, ideja që PDK-së t’i ofrohet drejtimi i Kuvendit në këmbim të votës për Presidentin, do të kishte sens vetëm nëse do të bëhej muaj më parë, kur gjërat ende nuk ishin bllokuar.
Deda nuk ka kursyer kritikat për qasjen e kreut të qeverisë, duke e cilësuar si problem kryesor mungesën e frymës bashkëpunuese. Ai vlerëson se kjo situatë po e çon Kosovën drejt një rruge të rrezikshme që mund të prodhojë zgjedhje të njëpasnjëshme pa asnjë zgjidhje.
“Pozitën e kryetarit të Kuvendit VV mund t’ja ofronte PDK-së në janar ose shkurt, dhe në pako të mirreshin vesh për presidentin/en”, deklaroi ai.
Sipas tij, pasojat e këtij ngërçi mund të jenë afatgjate, duke marrë si shembull dështimin sistematik të shteteve të tjera në rajon për të krijuar stabilitet.
“Paaftësia e kryeministrit për ndërtim të partneritetit politik po e shtyn Kosovën drejt skenarit të Bullgarisë – ku për 5 vjet u mbajtën 8 herë zgjedhjet parlamentare”, u shpreh ai.
Në fund, Deda theksoi se zgjidhja mbetet në duart e njerëzve. Megjithëse shpreson që ky kaos të shmanget, ai e bëri të qartë se llogaridhënia duhet të kërkohet përmes kutive të votimit.
“Shpresoj që kjo mos të jetë rruga e politikës kosovare. Por kjo varet kryekëput prej qytetarëve… sepse shoqëritë normale i mbajnë përgjegjës politikanët dhe i ndëshkojnë me votë”, përfundoi ai./gazetametro.net