Sekretari organizativ i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, shprehu mosbesim ndaj institucioneve përgjegjëse për trajtimin e çështjes së njehsorëve elektrikë, duke theksuar se rastin e ka adresuar në organet e drejtësisë, përcjell Gazeta Metro.
Gjatë emisionit në KTV, ai iu drejtua këshilltarit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Ali Tafarshiku, duke i bërë të ditur se provat për mospërputhje të orës në matës i ka dorëzuar në Prokurori dhe në njësinë për krime ekonomike të Policia e Kosovës.
“Shteti e ka për obligim ta mbrojë qytetarin, unë po them që ty nuk po të besoj se ti ke qenë në gjumë, ti nuk ke bërë asgjë, për këtë kam shkuar në Prokurori, kam shkuar te krimet ekonomike, kam thënë ja ku i keni dëshmitë”, është shprehur Azemi.
Nga ana tjetër, Tafarshiku bëri të ditur se nga 31 marsi janë regjistruar 664 ankesa nga qytetarët lidhur me mospërputhje të kohës në njehsorë, ndërsa një pjesë e madhe e tyre janë shoqëruar me dëshmi.
“Njehsorët e skaduar i kemi verifikuar dhe menjëherë inspektorati ka vijuar të shqiptojë gjoba, pesë sot, shtatë janë në proces. Nga data 31 mars deri në këtë moment i kemi 664 ankesa, prej tyre 444 janë në formën elektronike që i kanë bashkëngjitur edhe argumentet me foto ndërsa 220 tjera kanë qenë thirrje telefonike për të cilat komisioni verifikues është duke dalur çdo ditë në teren. Në bazë të rezultateve të deritanishme rezulton që 90 për qind rezulton që koha reale nuk përputhet me kohën që figuron në njehsorë”, deklaroi Tafarshiku.
Ai shtoi se parregullsitë nuk lidhen vetëm me orën, por edhe me datën, duke përmendur dallime të konsiderueshme në disa raste./gazetametro.net