Loading…

Dalin pamjet: Ia ku ndodhej ‘daja’ nga Peja gjatë grabitjes milionëshe në Rinas

  • 20/08/2019 | 16:41

Dalin pamjet: Ia ku ndodhej ‘daja’ nga Peja gjatë grabitjes milionëshe në Rinas

Në kohën kur Admir Murataj dhe grupi i armatosur zbarkoi në pistën e Rinasit dhe në barkun e një avioni grabitën miliona euro, kosovari Ragip Hajdini i njohur me pseudonimin ‘daja’ ndodhej në një lokal në Spitallë të Durrësit në shoqërinë e disa miqve, transmeton Gazeta Metro.


Sikurse shihet në video, pejani Hajdini, shfaqet në derën e lokalit në orën 14.15 minuta të datës 9 prill. Ai mbërrin aty me një makinë tip Smart, ngjyrë e zezë.

Pasi qëndron disa minuta në këmbë përpara lokalit, Hajdini hyn në ambientet e brendshme ku i bashkohet një grupi personash, në shoqërinë e të cilëve qëndron për afro 3 orë.

Referuar orës së kamerës së sigurisë, Hajdini i la ambientet e lokalit pasdite vonë, pamjet janë siguruar ekskluzivisht nga ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’.

“Kam miqësi me Aleksandër Muratajn, vëllain e Admirit. Kam qenë dhe në varrimin e Admirit në Tropojë. Por nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen. Jam ndodhur në lokal me miqtë e mi ditën e ngjarjes”, iu tha Hajdini hetuesve menjëherë pas arrestimit.

Pas kësaj dëshmie, prokurorët e Krimeve të Rënda, sekuestruan kamerat e sigurisë, të cilat i kanë dërguar për ekspertizë.

Avokati Marash Ndoci, përmes një memoje i ka kërkuar institucionit të akuzës, që krahas sekuestrimit të pamjeve, të marrë dëshmitë e personave që ishin në shoqërinë e 50-vjeçarit nga Peja.

50-vjecari nga Peja u vu në pranga mbi bazën e dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë, Alkond Bengasi, i cili u rrëfeu hetuesve se Admir Muratajn e kishte parë disa herë në shoqërinë e një shtetasi nga Kosova, të cilin ishte në gjendje ta identifikonte nëse përballej me të.

Për grabitjen spektakolare në Rinas, janë arrestuar shtatë persona, mes tyre edhe një punonjës i cargos në aeroport, ndërsa në kërkim janë dy vëllezërit Klement dhe Eldi Cala, si dhe Talo Cela./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë