Ish-ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, është paraqitur në Prokurorinë Speciale të Kosovës, ku po zhvillohet intervistimi i tij në kuadër të një rasti që është nën hetim, përcjell Gazeta Metro.
Sipas informacioneve të raportuara nga gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani, Aliu ndodhet në objektin e Prokurorisë i shoqëruar nga avokati i tij, Artan Qerkini.
Burimet bëjnë të ditur se ish-ministri po jep deklaratë lidhur me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë ushtrimit të funksionit të tij në Qeverinë Kurti. Ai e mbajti këtë post deri në muajin gusht të vitit 2025, kur dha dorëheqje.
“Kemi informacione që i njëjti po merret në pyetje edhe për një rast për ambalazhuesit e ujit si dyshimet edhe të Prokurorisë Speciale që kanë bërë hetime qysh kah fundi i vitit 2024 e këndej. Do të shohim se çfarë mase do të kërkojë Prokuroria ose më saktësisht për çfarë po merret në pyetje”, tha ajo.
Raportohet se Liburn Aliu po intervistohet nga prokuroria për rastin e ambalazhuesve të ujit
Deri më tani, Prokuroria Speciale nuk ka dhënë detaje zyrtare lidhur me përmbajtjen e intervistimit apo me hapat e mëtejmë proceduralë në këtë rast./gazetametro.net