Ministri i jashtëm serb Ivica Dacic ka kërcënuar Maqedoninë dhe Malin e Zi se do të jetë kundër tyre në organizatat ndërkombëtare nëse këto dy shtete fqinje mbështesin Kosovën.
Ai në një intervistë për agjencinë e lajmeve Beta, ka thënë se Serbia do të luajë rol konstruktiv në zgjidhjen e problemeve në rajon, por të jenë në gjendje të votojnë kundër interesave të vendeve fqinje që nuk e mbështesin Serbinë në çështje të saj të rëndësishme të tilla si njohja e Kosovës dhe anëtarësimi i saj në UNESCO, transmeton gazetametro.net.
“Kjo nuk është hakmarrje, por politikë e reciprocitetit dhe Serbia nuk do të lejojë askënd të na poshtërojë”, ka thënë Dacic.
“Unë nuk jam duke folur për diçka që do të ndërmarrim tani ndaj Malit të Zi, Maqedonisë, Kroacisë apo dikujt tjetër. Unë jam duke folur për qëndrimin tonë ndaj kërkesave të tyre, kur çështjet e tyre janë në rend të ditës. Por kjo nuk ka të bëjë me marrëdhëniet tona dypalëshe. Bëhet fjalë për integritetin tonë territorial. Imagjinoni tani nëse serbët në Mal të Zi do të deklaronin shkëputje të njëanëshme. Cili është ndryshimi? Përqindja e shqiptarëve në Serbi është shumë më e vogël se sa përqindja e serbëve në Mal të Zi”.
Ai ka thënë se Serbia dëshiron zgjidhje të përhershme të çshtjes së Kosovës, por vetëm me marrëveshje. /gazetametro.net