Loading…

Çka do të përkrahet me rreth 50 milionët e fondit amerikan për Kosovën

  • 01/07/2017 | 10:00

Çka do të përkrahet me rreth 50 milionët e fondit amerikan për Kosovën

Korporata amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit miratoi javën e kaluar një fond ndihmash prej rreth 50 milionë dollarësh për Kosovën. Drejtuesja e ekipit të Korporatës për Kosovën, Sarah Olmstead thotë se ndihma që do të përqendrohet kryesisht në përmirësimin e energjisë elektrike dhe në projekte për transparencë dhe qeverisje të përgjegjshme.


Korporata Sfida e Mijëvjeçarit pritet të sjellë një angazhim të konsiderueshëm të qeverisë amerikane në reformat që do të ndihmojnë rritjen ekonomike, investimet dhe qeverisjen e mirë në Kosovë. Korporata përqendrohet në rritjen ekonomike dhe investimet, si mënyrë për të zbutur varfërinë, thotë Sarah Osmstread, drejtuese e ekipit të Korporatës për Kosovën në Washington.

“Ne besojmë se duke u përqendruar tek biznesi, tek motori i rritjes ekonomike, vjen ulja e varfërisë dhe punësimi”, tha ajo.

Përmes një procesi intensiv dhe analitik, Korporata Sfida e Mijëvjeçarit dhe qeveria e Kosovës kanë indentifikuar pengesat kryesore me të cilat përballet, komuniteti i biznesit, qytetarët e thjeshtë, dhe sipërmarrësit në Kosovë:

“Identifikuam energjinë dhe sundimin e ligjit si dy nga pengesat kryesore për Kosovën. Nga këto dy objektiva rrjedhin edhe dy projektet kryesore”, u shpreh ndër tjerash.

Projekti për një energji të qëndrueshme do të inkurajojë investimet në burimet më pak të kushtueshme dhe do të nxisë metoda efikase për të pakësuar përdorimin e energjisë nga familjet kosovare që përbëjnë 60 për qind të konsumatorit.

“Pjesë e problemit është se shumë shtëpi janë të vjetra, pa izolim të mirë dhe pajisje jo efiçente. Për familjet e varfra është e vështirë të bëjnë një investim fillestar prej 500 apo 1000 dollarësh për të bërë disa riparime bazë të shtëpive që mund t’u kursejnë 100 dollarë në muaj në fatura”.

Projekti i dytë, ai për transparencë dhe qeverisje të përgjegjshme synon të përmirësojë përdorimit analitik të të dhënave në sistemin e drejtësisë për të nxitur transparencën dhe besimin e publikut tek qeveria.

“Ky projekt kërkon ta bëjë informacionin që tani e kanë vetëm gjykatat dhe gjyqtarët të mundur të shihet nga qytetarët për të pasur qasje ndaj informacionit dhe për të ndjekur procedurat. Kjo krijon më shumë besim dhe konfidencë në sistemin e drejtësisë”, shtoi ajo.

Programi do të përqendrohet gjithashtu në problemin e pjesëmarrjes së ulët të grave kosovare në fuqinë punëtore.

“Sipas statistikave qeveritare, kjo pjesëmarrje është në shifrat e 18 përqindëshit, që i radhit ato në një nivel me gratë në Afganistan dhe Gazë. Pra është shumë e ulët. Ne po bëjnë një studim për këtë çështje për të gjetur dhe identifikuar pengesat që nuk i lejojnë gratë të hyjnë në forcën punëtore në mënyrë që të mund t’i adresojmë ato përmes këtij programi”, tha ajo ndër tjerash, shkruan VoA.

Fondi prej 49 milionë dollarësh do të administrohet nga zyra kombëtare e Sfidës së Mijëvjeçarit në Kosovë e cila do të shndërrohet në një entitet përgjegjës për prokurimet dhe mbarëvajtjen e projekteve. Shpërndarja e fondeve megjithatë do të varet nga forma përfundimtare që do të marrin projektet e identifikuara.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë