Loading…

Çka do të nënkuptonte një protektorat eventual për komunat me shumicë serbe?

  • Nga

  • ALBERT PRENKAJ

  • 16/09/2023 | 16:39

Çka do të nënkuptonte një protektorat eventual për komunat me shumicë serbe?

Nocioni- Në bazë të nenit 76 të Kartës, objektivat bazë të Sistemit Ndërkombëtar të Kujdestarisë/Protektoratit në përputhje me qëllimet e Kombeve të Bashkuara përfshinin: promovimin e përparimit politik, ekonomik, social dhe arsimor të banorëve të Territoreve të Mirëbesimit dhe zhvillimin e tyre progresiv drejt vetëqeverisja dhe pavarësia; dhe të inkurajojë respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore për të gjithë dhe njohjen e ndërvarësisë së popujve të botës.
Bazuar në parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe përgjegjësit kryesore të Këshillit të Sigurimit për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, duke u thirr në rezolutat 1160 (1998) të datës 31 mars 1998, 1199 (1998) të 23 shtator 1998, 1203 (1998) e 24 tetorit 1998 dhe 1239 (1999) e 14 majit 1999, dhe duke mos pasur respektim të plotë të kërkesave të rezolutave të sipërpërmendura, bazuar në Kapitullin VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara, Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka vendosur administrimin dhe sigurinë e Kosovës përmes Rezolutës 1244, deri në vendosjen e statusit final.


Shkruan: Albert Prenkaj

Me Deklaratën e Pavarësisë të shpallur më 17 shkurt 2008, përgjegjësitë e shtyllave të administrimit, demokracisë-legjislativit dhe gjyqësorit i janë kaluar qeverisë së Kosovës të zgjedhur në mënyrë demokratike. Segmenti i sigurisë i cili funksionon sipas Rezolutës 1244, Marrëveshjes së Kumanovës, si derivat i të pares, si dhe në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, mbetet përgjegjësi e KFOR-it.

Fillimisht mund të aludohet në rifuqizimin e Rezolutës 1244 për ndihmën e autoriteteve lokale në administrim të komunave me shumicë serbe, si dhe aktualizimin e disa klauzolave të Marrëveshjes së Kumanovës. Kjo do të rikthente situatën para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në një pjesë të saj. Pra, institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të kishin qasje, në: administratë publike, gjykatat, prokurori dhe policia do të ishin në administrim ndërkombëtarë. Në rastin më të keq, do të aktivizohej klauzola e Rezolutës 1244, Aneksi 2, pika 6, paragrafi 2 (kthimi i personelit në numër të vogël, më pak se 1000…

Kjo situatë do të ndryshonte drastikisht rrjedhën në terren, e që do të ndërhynte në mënyrë flagrante në Kushtetutën dhe kornizën ligjore të Kosovës, si dhe do të krijonte një situatë të re në arenën ndërkombëtare. Kjo e fundit mund të shkaktonte zinxhir rishqyrtimesh të njohjeve të arritura, si dhe do të vinte në dyshim qëndrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, pjesë e së cilave tanimë është.Përfundimisht, fundi i protektoratit nuk do të kishte parashikueshmëri dhe qartësi. Çka do të ndodhte në fund? Rikthim në Kosovë, apo shkëputje?

Arsyet pse nuk është i pranueshëm një protektorat eventual:

Arsyet esenciale për njohjet e deritanishme të Republikës së Kosovës janë të natyrës politike dhe të së drejtës ndërkombëtare.

1. Arsye thelbësore politike e njohjes ndërkombëtare (pra nga shtetet në mënyrë individuale) është paqja dhe siguria në rajonin e Evropës Jug-Lindore. Me ndërhyrjen ushtarake të Rusisë në Ukrainë, BE (Evropa), SHBA dhe NATO janë të sfiduar fuqishëm në aspektin e sigurisë, atë politik dhe ekonomik. Një front i ri eventual në Jug-Lindje të Evropës, do të shkaktonte efektin domino. Tashmë soft power “Srpski Svet” ka arritur efektin e ndërhyrjeve në Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi e Kosovë, me tendencë penetrimi në Maqedoninë e Veriut, ndërsa hegjemonia do të ndjehej edhe në Shqipëri. Madje ndërhyrja humanitare dhe legjitime ushtarake e NATOs bazohet në në parimin R2P (Responsibility to Protect- Përgjegjësia për të Mbrojtur) i cili është artikuluar në dokumentin A/RES/60/1, dhe më 2007 Sekretari i Përgjithshëm e ka adresuar më 2005 Samitit Botërorë dhe që i është adresuar Këshillit të Sigurimit.

2. Njohjet e bazuara në të drejtën ndërkombëtare kanë mbështetje jo vetëm tek mendimi i GJND-së, por edhe në konventat ndërkombëtare aktuale, e që në rastin e Konventës së Montevideos, me ngjarjet e fundit në veri mund të humb prerrogativat me rëndësi, që nuk i plotëson as Palestina. Nuk ushtron shtrierje institucionale në tërë territorin e deklaruar.
Një aranzhman i mbikqyrjes ndërkombëtare do të ishte një tip i ngjashëm me ofertën e Peter W. Galbraith, Leonid Kerestedjiants dhe Geert-Hinrich Ahrens në emër të Mini Kontakt Grupit (SHBA, Rusi, BE). Pra bëhet fjalë për Planin Z-4.

Protektorati eventual si një intermezo e angazhimit aktual ndërkombëtarë, që përpos huqjet në kalkulime të qeverisë së Kosovës dhe insistimit të Serbisë që të përfitoj sa më shumë në këtë kontest, e që pa dyshim e trajton në dialog me Lajçak, Escobar, Sarazen, Pitch, gjithnjë në kontekstin e “Srpski svet”, (sepse të gjithë emisarët janë të dërguar për rajonin), pra përfitimet e Serbisë në tërë rajonin, si parapërgatitje për një moment të volitshëm historik, është ndërlidhur tashmë edhe me angazhimet në konfliktin në Ukrainë, jo shumë larg, Varshavës, Berlinit e Vjenës, por edhe me përcjelljen e zhvillimeve ngacmuese në Lindjen e Largët (Tajvan) nga ana e SHBA-së.

Derisa Rusia është e interesuar të hapë një vatër të re të konflikteve në Evropën Jug-Lindore, Perëndimi është i interesuar me çdo kusht të ruaj paqen! Një intermezo tashmë është konstruktuar në Bruksel dhe Ohër, ku është hequr njohja në qendër dhe është zëvendësuar me “normalizim”, pa njohje. Një ndërmarrje e tillë do të konsiderohet si regres jo vetëm për Kosovën, por edhe për sponsorët e paqes dhe sigurisë në rajon. Një grusht politik në përpjekje për vendosjen e balansit dhe rendit të ri ndërkombëtarë, që do të ngriste oponentët strategjik të SHBA-së, BE-së, Mbretërisë së Bashkuar, NATO-s dhe aleatëve të tyre. Republika e Kosovës si tërësi politike-territoriale gëzon një lloj Kujdestarie ndërkombëtare nga aspekti i sigurisë, andaj shtresimet e kujdestarisë në kuadër të të njëjtës kornizë ligjore ndërkombëtare, nga ky prizëm do të ishte mbivendosje e kompetencave.

(Autori ka qenë diplomat i Kosovës.)

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë