Loading…

Cilët ishin tre vrasësit e Mehmet Shehut dhe çfarë ndodhi me ta

  • 16/12/2016 | 12:34

Cilët ishin tre vrasësit e Mehmet Shehut dhe çfarë ndodhi me ta

Historiani Idajet Beqiri rrëfen detaje të padëgjuara më parë për eliminimin e kryeministrit Mehmet Shehu, lidhur me “kurorëzimin e skenarit ogurzi në natën e 17-18 dhjetorit 35 vite më parë”.

Sipas Beqirit duhet nënvizuar fakti se “dy nga vrasësit e Mehmet Shehut, pra Kadri Hazbiu dhe Feçorr Shehu, u pushkatuan pa u mbushur një vit nga eliminimi i Mehmetit. Ndërsa, i treti dhe kryesori, Ramiz Alia, vdiq natyralisht por pa e rrëfyer asnjëherë enigmën. Megjithatë, ka ende dëshmitarë që mund ta tregojnë të vërtetën deri në fund”.

Autorët e vrasjes

Fejesa e djalit të Mehmetit, Skënder Shehut, me vajzën e Profesor Turdiut, ishte e kurdisur, me një harmoni veprimesh. Ideatori dhe frymëzuesi ishte Ramiz Alia. Ndërsa nxitjen, inkurajimin dhe ekzekutimin e këtij skenari, për fatin e keq e bënë Kadri Hazbiu dhe Feçorr Shehu. Ka prova të pakontestueshme që e vërtetojnë këtë gjë. Ramiz Alia bëri “pazaret” me Kadri Hazbiun dhe me Feçorr Shehun. Këta dy të fundit e dinin mirë që Enver Hoxha “de facto” nuk ishte më në krye të punëve dhe të udhëheqjes. Ata dinin gjithashtu se sëmundjet që “bluzat e bardha” kishin ngulitur thellë në trupin e tij, bënin që t’i kishte ditët e jetës të numëruara. Sikundër dinin që pas Kongresit të 8-të të Partisë, binomi Ramiz-Nexhmije ishte bërë “superfuqi” dhe rruga e vetme e gjithkujt në raport me ta, ishte bindja pa kushte.

Ramiz Alia i ofroi Kadri Hazbiut postin e Kryeministrit. Ndërsa Feçorr Shehun e garantoi për të qenë Ministër të Brendshëm të përjetshëm, dhe në Kongresin pasardhës të Partisë, edhe anëtar të Byrosë Politike. Kjo gjë bëhej edhe sepse Feçorri ishte mallakastriot, dhe… ikte Mehmeti, por qëndronte në pozita të forta Feçorri. Dhe kështu, edhe mallakastriotët “qetësoheshin”, sepse udhëheqja e lartë nuk kishte asnjë paragjykim me Krahinën e Mallakastrës!

Feçorr Shehu u bë “mblesi” real i fejesës së djalit të ish kryeministrit Mehmet Shehu me Silva Turdiun. Feçorri e njihte shumë mirë Silvën, sepse ajo ishte një nga yjet e Klubit Dinamo të volejbollit, ku Feçorr Shehu ishte ministër i Brendshëm. Feçorri nga ana tjetër ia njihte shumë mirë biografinë nga ana e nënës Silva Turdiut, e cila një dajo, Arshi Pipën e kishte në SHBA, tjetri i dënuar si kriminel lufte.

Djali i ish kryeministrit Mehmet Shehu, Skënderi, ashtu siç e ka përshkruar me objektivitet vet i ati i tij, binte shpejt “si miza në qull” dhe kështu skenari funksionoi dhe fejesa u bë. Kur Mehmet Shehu e mori vesh këtë lidhje, i kërkoi Feçorr Shehut biografinë e Familjes së Silva Turdiut. Feçorr Shehu, me që ishte tashmë “në tavë” dhe vallja duhej hedhur gjer në fund, i çoi me shkrim Mehmet Shehut vetëm biografinë e Familjes së babait të saj, Profesor Turdiut, biografi e cila ishte shumë e mirë.

Enver Hoxha e priti shumë mirë këtë fejesë. Madje i shkoi në shtëpi Mehmetit për vizitë dhe e uroi bashkë me Nexhmijen.

Më vonë, “Kryeskenaristi” Ramiz Alia, si “krejt rastësisht”, e informoi me hollësi Enver Hoxhën. Ai, ndryshe nga sa Feçorr Shehu, i cili i kishte bërë me dije Mehmet Shehut vetëm biografinë e të atit të vajzës, i tha Enver Hoxhës biografinë e nënës së saj, e cila e tronditi shumë Enver Hoxhën. Dhe kështu “loja filloi”!”

Enveri hedh nga shkallët ministrin e Brendshëm…

Nëse do të analizohet çdo pyetje, çdo ndërhyrje dhe çdo diskutim i bërë në Byronë Politike të Komitetit Qendror të Partisë në datën 17 dhjetor 1981, duke lexuar me vëmendje procesverbalin e mbledhjes, del se një lukuni “ujqërish”, me në krye “kryeujkun” Ramiz Alia, të cilit në fakt nuk i shkon ky epitet, pasi një person me zërin femër, veç “ujk” nuk mund të bëhet dot, iu vërsulën Mehmet Shehut për ta ngrënë të gjallë! Ramiz Alia, Lenka Çuko, Simon Stefani, Kadri Hazbiu nuk mund të përmbaheshin! Ata ishin më agresivët në atë mbledhje maratonë që në fakt ishte gjyqi politik kundër Mehmet Shehut. I vetmi që ishte nga më të arsyeshmit, më njerëzorët dhe që jepte të kuptohej hapur se do e mbronte Mehmet Shehun, ishte Enver Hoxha. Këtë gjë e kishte nuhatur menjëherë Mehmet Shehu, ndaj gjatë gjithë mbledhjes së lodhshme, me provokime, cic-mice dhe deri fyerje, të cilat për hir të së vërtetës dilnin jashtë karakterit të durueshmërisë së tij, mbajti një qëndrim model gjakftohtë, të logjikshëm, duke treguar jo vetëm maturi dhe pjekuri në përgjigjet që jepte, por edhe duke e paralizuar egërsinë e “ujqërve”!

Meqenëse skenari nuk po u ecte siç e kishin parashikuar, për shkak se Enver Hoxha e kishte mbledhur mendjen për t’i dhënë Mehmet Shehut vetëm një “vërejtje të rëndë me shënim në kartën e regjistrimit”, dyshja Alia-Hazbiu, me ndihmën e Fiqret Shehut, zbatuan Planin “B”!

Mehmet Shehu iku disi i qetë në shtëpi. Ai krijoi bindjen e plotë se shoku më i ngushtë i halleve të mëdha, i punës dhe i luftës, po e mbante. Dy fakte domethënëse e provojnë këtë, e para, sepse i tha Fiqretit se të nesërmen mbledhja e Byrosë Politike do të zgjaste shumë pak, sa të diskutonte Enver Hoxha, dhe pastaj,- i tha Fiqretit,- shkojmë në shtëpinë e Hekuran Isait për ngushëllim, sepse atë ditë i kishte vdekur nëna.

Prova e dytë është se djali, Skënderi, në orën 20.00 të darkës e kishte të fiksuar që marrte në telefon nga Suedia. Meqenëse Mehmet Shehu ende nuk kishte mbërritur në shtëpi, ai i kishte thënë të ëmës që, nëse babi ka nevojë ose dëshirë të flasë me mua kur të mbërrijë në shtëpi, më bëni një zile, se ju marr unë pastaj. Kur erdhi Mehmeti në shtëpi, Fiqreti ia tha këtë gjë.

Mehmeti gjakftohtë i tha që nuk ka asnjë problem se flasim nesër. Nëse Mehmet Shehu kishte bërë plan të vriste veten, do të telefononte menjëherë djalin që të ndahej me të!

Aty rreth orës 21.15 minuta, Kadri Hazbiu shkoi në shtëpinë e Mehmet Shehut dhe bisedoi gjatë me Fiqret Shehun për ecurinë e mbledhjes dhe kahjen që ajo do të merrte ditën e nesërme. E dezinformoi Fiqretin, duke ia bërë ecurinë e së nesërmes “katastrofë.” Madje i tha edhe një intrigë të gjallë të shpifur, sikur Enver Hoxha e kishte porositur që arrestimin e Mehmet Shehut të nesërmen do ta bënte vetë Kadri Hazbiu! Analizuan shpejt situatën me logjikën “të shpëtojmë” çfarë mund të shpëtojmë. Fiqreti, duke patur përvojën e rasteve të shumta të mënyrës së eliminimit të udhëheqjes së lartë të Partisë para Mehmetit, për të shpëtuar fëmijët, veten dhe gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes, e bindur se Kadri Hazbiu dhe Ramiz Alia do t’a ndihmonin, siç i premtuan, e lëshoi veten në dorën e tij…shkruan Beqiri per “Dita”.

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]tametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë