Loading…

Chris Hill: Asociacioni duhet të jetë në rend dite, Escobar veproi mençur që e hapi këtë çështje

  • 13/08/2022 | 10:30

Chris Hill: Asociacioni duhet të jetë në rend dite, Escobar veproi mençur që e hapi këtë çështje

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka folur për tensionet aktuale të rritura mes Kosovës dhe Serbisë dhe tha se takimi i ardhshëm në Bruksel mes kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq duhet të shërbejë për zvogëlimin e tyre.


Në një intervistë për televizionin publik serb, Hill tha se ai është optimist për rezultatin e bisedimeve, derisa ftoi që edhe pala serbe të ketë të njëjtin mendim.

“Sigurisht që kohët e fundit kemi vërejtur një rritje të tensioneve. Mendoj se është e rëndësishme të kuptojmë se ne presim disa takime të rëndësishme nën ndërmjetësimin e BE-së dhe zotit Lajçak tashmë javën e ardhshme. Në një farë mase, ju duhet të shikoni mundësitë dhe të keni besim në ato bisedime kundër këtyre tensioneve në rritje. Personalisht, mendoj se kemi më shumë arsye për optimizëm sesa për pesimizëm”.

Hill tha se të gjitha palët duhet ta frenojnë pak retorikën e tyre, sepse “pati disa fjalë të ashpra, që nuk i ndihmojnë shumë këtij procesi”.

“Këto çështje duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe BE-ja është shumë e gatshme ta bëjë këtë”, raporton Gazeta Express.

Ambasadorit iu përmenden edhe deklaratat e Kurtit për luftën që i dha në disa media, si dhe fjalët propaganduese të Vuçiqit, që tha se “Prishtina po planifikon vrasjen e serbëve në veri”. Hill tha se lloj atmosfere nuk ndihmon kurrë për optimizëm, por se për takimin e ardhshëm ka shumë përgatitje, prandaj edhe beson në përparimin e procesit.

Ambasadori amerikan komentoi edhe deklaratat e bashkëkombasit të tij, emisarit Gabriel Escobar, i cili ka thënë se tema e Asociacionit duhet të jetë temë diskutimi më 18 gusht – kur takohet Kurti e Vuçiq.

“Mendoj se zoti Escobar ka vënë në dukje një pikë shumë të rëndësishme. Meqenëse Asociacioni është parashikuar që në fillim të gjithë këtij procesi, është mirë t’u kujtojmë të gjithëve se duhet të jetë në rendin e ditës dhe se duhet gjetur një qasje për të. Pyetja e pashmangshme është se cila është e ardhmja e komunitetit serb në Kosovë, sa të sigurt ndihen serbët në Kosovë, a duan të qëndrojnë në Kosovë. Mendoj se idetë që janë paraqitur për themelimin e Asociacionit janë një qasje e mirë dhe mendoj se është shumë me vend që zoti Escobar ta iniciojë atë tani”.

Hill shtoi se është e rëndësishme që palët të jenë të gatshme me propozime dhe se “është e qartë se zgjidhje të tilla, të cilat ekzistojnë në shumë demokraci, mund të zbatohen edhe në Ballkan”.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë