Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka telefonuar gjatë ditës së sotme kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vucic, ku kanë diskutuar për sulmin terrorist që ndodhi në veri të Kosovës, shkruan Gazeta Metro.
Në njoftimin e bërë në platformën ‘X’, Chollet tha se me Kurtin ka biseduar për sulmin e shëmtuar që ndodhi të dielën në Kosovë.
Ai tha se e dënon fuqishëm dhunën ndaj Policisë së Kosovës, derisa ka shprehur ngushëllime për familjen e policit Afrim Bunjaku.
“Bisedova me kryeministrin Albin Kurti për sulmin e shëmtuar të të dielës në Kosovë. E dënojë fuqishëm dhunën ndaj Policisë së Kosovës, shpreha ngushëllimet e mia për humbjen e rreshter Afrim Bunjaku. Të dyja palët duhet të kthehen në dialogun e lehtësuar nga BE dhe të implementojnë zotimet e Ohrit”, ka thënë Chollet.
Spoke with PM @albinkurti of the heinous attack Sunday in Kosovo. Strongly condemned violence against Kosovo Police; expressed condolences on the loss of Sergeant Afrim Bunjaku. Both sides must return to the EU-facilitated Dialogue and implement Ohrid commitments.
— Derek Chollet (@CounselorDOS) September 26, 2023
Chollet njoftoi se sot ka telefonuar edhe presidentin serb, Vucic. Me presidentin e Serbisë, amerikani tha se ka diskutuar për rëndësinë e de-eskalimit të menjëhershëm në veri të Kosovës dhe shmangien e veprimeve që do të nxisnin tensione të tjera.
Si Kurtit edhe Vucicit, Chollet ka kërkuar që palët të rikthehen në dialogun e lehtësuar nga BE.
“Bisedova me presidentin Vucic për rëndësinë e de-eskalimit të menjëhershëm në veri të Kosovës dhe shmangien e veprimeve që do të nxisnin tensione të tjera. Humbja tragjike e jetës thekson nevojën urgjente të rivendosjes së qetësisë dhe rikthimin në dialogun e lehtësuar nga BE”, tha Chollet.
Spoke to President Vucic @predsednikrs on the importance of immediate de-escalation in the north of Kosovo and avoiding actions which could further inflame tensions. The tragic loss of life underscores the urgent need to restore calm and return to the EU-facilitated Dialogue.
— Derek Chollet (@CounselorDOS) September 26, 2023
Policia e Kosovës më 24 shtator u sulmua nga një grup i personave të maskuar dhe armatosur, pasi tentoi të hiqte barrikadat e vendosura në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Si pasojë e sulmit mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën disa policë të tjerë.
Grupi i armatosur u strehua në manastirin e Banjskës, prej ku u përlesh me Policinë e Kosovës.
Autoritetet thanë se gjatë përleshjeve janë vrarë tre terroristë, ndërkaq janë arrestuar tetë të tjerë. /gazetametro.net