Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski, sot realizoi takim me Kryetarin e Këshillit Evropian, Charles Michel ku diskutuan propozimin e presidencës franceze për marrëveshjen me Bullgarinë për të çelur negociatat për anëtarësim në BE.
Në takim, kryeministri maqedonas Dimitar Kovacevski dhe kryetari i Këshillit Evropian, Charles Mishel potencuan se propozimi evropian për fillimin e bisedimeve për Maqedoninë e Veriut i përfshin të gjitha pozicionet dhe vërejtjet dhe se bisedimet mund të fillojnë menjëherë pas miratimit të të njëjtit. Ata theksuan se propozimi, parasheh gjuhë të pastër maqedonase, të barabartë me gjuhët e tjera të vendeve anëtare të BE-së.
Në takim nga ana e kryetarit të Këshillit Evropian, Charles Mishel edhe njëherë u potencua mbështetja dhe angazhimi i Bashkimit Evropian për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se këto janë momente kyçe për avancimin e shtetit tonë në aspekt ekonomik, politik dhe në aspekt sociologjik.
Kovacevski theksoi se mbështetja e Bashkimit Evropian në procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut është e një rëndësie të veçantë për shtetin në përmbushjen e qëllimit themelor strategjik, përkatësisht anëtarësimit të plotë në BE.
Kryeministri  Kovacevski në takim tha se gjatë ditëve të kaluara propozimi i Presidencës franceze është diskutuar në takime konsultative me liderët e koalicionit qeveritar, me korin diplomatik, sektorin civil, me përfaqësues të opinionit ekspert dhe mediave, si dhe me partitë opozitare.