Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Avdullah Hoti, ka njoftuar se ky subjekt politik dje ka dorëzuar nënshkrimet e të gjithë deputetëve të vet për seancën e thirrur për shpërndarje të Kuvendit, e të njëjtën gjë ditë më parë kanë bërë edhe VV, PSD, AAK, por jo edhe PDK, transmeton Gazeta Metro.
“Sipas dakordimit të arritur në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Kuvendit, dje kemi dorëzuar nënshkrimet e 25 deputetëve të Grupit Parlamentar të LDK’së”, ka shkruar ai në Facebook.
“Seanca e datës 22 gusht 2019 do të jetë seanca e fundit e kësaj legjislature. Zgjedhjet e reja duhet të caktohen sa më parë që është e mundshme, brenda afatit kushtetues”.
VV, PSD, AAK ditë më parë kishin dorëzuar nënshkrimet për shpërndarjen e Kuvendit, kurse sot një gjë të tillë e ka bërë edhe Nisma për Kosovën.
Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka njoftuar se i ka dorëzuar nënshkrimet e deputetëve për mbajtjen e seancës së caktuar për 22 gusht për shpërndarjen e legjislaturës së VI dhe votimin e marrëveshjes së IPA-s që i sjell shtetit 90 milionë euro.
“Në këtë seancë të fundit deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të votojnë marrëveshjen ndërkombëtare të IPA-s që i sjell shtetit rreth 90 milionë euro nga BE-ja, si dhe për shpërndarjen e legjislaturës së VI. Shkojmë drejt zgjedhjeve të parakohshme, me bindje të plotë se në legjislaturën e VII, NISMA Socialdemokrate do të jetë e përfaqësuar me 10+deputet!”, ka shkruar Sherifi.
Mbetet vetëm PDK’ja e Kadri Veselit që ti dorëzoj e fundit nënshkrimet për shpërndarjen e Kuvendit, kjo parti me herët ishte kundër zgjedhjeve, por se fundi ka ndryshuar qëndrim, është vetë Kadri Veseli që ditë me parë ka thënë se zgjedhjet janë e vetmja mënyrë për të dal nga kriza./gazetametro.net