Edhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka thënë disa fjalë për presidentin e ri të Amerikës Donald Trump, i cili u inaugurua disa minuta më herët.
Përmes një publikimi në rrjetin social Facebook, Mustafa, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës e përgëzon Presidentin e posa inauguruar, duke i uruar gjithë të mirat dhe suksese.
Mustafa shkruan edhe për rolin e secilit president amerikan ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj gjatë tri dekadave.
“Presidenti George H. W. Bush, në vitet ’90, i vuri Vijën e Kuqe regjimit kriminal të Millosheviqit për Kosovën. Gjatë presidencës së Presidentit Bill Clinton, Kosova u çlirua. Presidenti George W. Bush dha kontribut esencial për pavarësimin e Kosovës. Administrata e Presidentit Obama, nën kujdesin e veçantë të zëvendëspresidentit Biden, e kishte në vëmendje të politikës së jashtme Kosovën”, shkruan Mustafa.
E shprehet plotësisht i bindur se edhe Presidenti Trump me lidershipin e tij, do përkrahë Kosovën në anëtarësimin në Kombet e Bashkuara dhe rrumbullakimin e të gjitha elementeve të shtetësisë.
“Qeveria dhe populli i Kosovës janë jetësisht të përkushtuar për partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e bartur me krenari epitetin e “popullit më proamerikan në glob”. Congratulations Mr. President Donald J. Trump!”, shkruan Mustafa në Facebook.