Loading…

Çfarë janë shanset për punësim të shqiptarëve në Gjermani?

  • 28/12/2016 | 09:06

Çfarë janë shanset për punësim të shqiptarëve në Gjermani?

Deutsche Welle ka hulumtuar për mundësitë e shqiptarëve për të gjetur një vend në tregun e punës në Gjermani.


Deutche Welle i ka kushtuar kësaj problematike një artikull të gjerë. Me qëllim zvoglimin e numrit të të ardhurve ilegalë, Gjermania dhe Shqipëria kanë nisur disa projekte të përbashkëta. Ndër to është edhe ai i Qendrës për ndërmjetësim në punësime ndërkombëtare i Agjencisë për Punë.

„Kur flasim për Shqipërinë, prej disa vitesh kemi një bashkëpunim të mirë në fushën e ashtuquajtur ‘kalimi i njohurive’, respektivisht përparimin e administratës së shtetit. Ne kemi shkolluar këtu në Gjermani për shembull, disa nga personat që punojnë në administratën e Shqipërisë”, thotë Kea Decker, shefe për bashkëpunim ndërkombëtar në Agjenci.

Gjermania në fund të tetorit të vitit të kaluar e ka ashpërsuar regjimin e marrjes së azilit për shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nga ana tjetër, shtetasve të këtyre vendeve u është lehtësuar ardhja legale dhe futja në tregun e punës në

Gjermani. Ai që në Shqipëri mund të dëshmojë se ka gjetur një punë në Gjermani, më lehtë mund të marrë një vizë pune.

Ardhja e shumë shqiptarëve në Gjermani ka filluar në fillim të viteve 90-të. Ndërsa gjatë luftës së Kosovës është shtuar dukshëm numri i shqiptarëve të strehuar në Gjermani – në radhë të parë të atyre me origjinë nga Kosova. Në fund të viteve 90-të numri i shqiptarëve nga Kosova në Gjermani kishte arritur shifrën prej rreth 400.000. Deri në vitin 2008, gati 100.000 janë kthyer vullnetarisht. Por më pas sërish është shtuar numri i shqipatrëve në këtë vend.

Nga fundi i vitit 2014 dhe në veçanti në fillim të vitit 2015, Gjermania është vërshtuar nga një valë e re e shqiptarëve, fillimisht nga Kosova e më pas edhe nga Shqipëria. Vetëm nga Shqipëria në Gjermani gjatë vitit të kaluar kanë kërkuar azil rreth 55.000 persona. Në fund të tetorit 2015, Gjermania i ka shpallur Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi vende të sigurta të origjinës, që do të thotë se shtetasit e këtyre vendeve nuk kanë gati kurfarë shansi të marrin azil politik në këtë vend. Kjo ka bërë që shumë shqiptarë të kthehen vullnetarisht në vendlindje, por ka pasur edhe shumë raste të kthimit me detyrim.

Si mund të punësohesh në mënyrë legale në Gjermani?

Marisa Kacori nga Enti për punësim në Tiranë thotë se ata “në Tiranë u ofrojnë personave të kthyer nga Gjermania këshilla për punësim në Shqipëri dhe për një rifillim”. „Në kuadër të projekteve të përbashkëta me institucionet gjermane atyre u jepen njëkohësisht informacione për punësim legal në Gjermani”.

Shumë shqiptarë, në radhë të parë ata të fushës së medicinës, kanë ardhur në Gjermani për të kërkuar punë. Të ardhurat mujore këtu janë shumë më të larta se në Tiranë, ku një mjek në klinikë paguhet për shembull rreth 230 euro. Ndërsa në klinikat në Gjermani mungojnë rreth 10.000 punonjës. Në Shqipëri çdo vit kryen shkollën e mesme të mjeksisë rreth 2000 persona, ndërsa punë gjejnë vetëm 300 prej tyre. Në Shqipëri aktualisht të papunë janë rreth 20.000 persona që kanë kryer ndonjë shkollë të mjeksisë.

Situatë e ngjashme është edhe në Kosovë. Dëfrim Rifaj, drejtor i departamentit për punë në Kosovë, thotë se ata “u ofrojnë qytetarëve mundësinë e ardhjes legale në Gjermani. Nuk duam që shtetasit tanë të vijnë në Gjermani si azilkërkues“, pohon Rifaj.

“Nga rajoni ynë vjen në Gjermani forca e shkolluar punëtore. Por shumë prej tyre nuk punësohen në profesionet që kanë mbaruar. Pavarësisht se çfarë shkolle kanë kryer në Shqipëri, ata shpesh në Gjermani punojnë vetëm në asistencë. Ne duam ta ndryshojmë këtë. Duam që forca e kualifikuar nga Shqipëria të punojë punët për të cilat ka kryer shkollë”, thotë Kea Decker.

Për bashkim familjar kërkohet plotësimi kushteve të shumta

„Të gjithë ata që planifikojnë të punojnë në Gjermani, duhet të informohen mirë me kohë, sepse në fund mund të dëshpërohen shumë. Në veçanti sa i përket bashkimit të familjes”, thotë Ditmar Bandke, i cili në Düren të Gjermanisë ofron infromacione për punësim në Gjermani.

Një prej problemeve më të shpeshta është bashkimi i familjeve. “Kjo temë është shumë e komplikuar dhe kërkon njohuri të mirë. Të gjitha duhet të bëhen në bashkëpunim me Zyrën për të huajt, ambasadën gjermane dhe personat e kualifikuar për këtë punë”, thotë ai.

Bandke shpjegon se për një familje më të madhe duhet të mjaftojnë të ardhurat financiare dhe hapsira e banimit. Personat duhet të kenë para të mjaftueshme për qira, ujë, rrymë, siguracione, veshmbathje… Personat duhet të japin dëshmi konkrete për të ardhurat e tyre. Në veçanti problematike është për ata që kanë të ardhura më të vogla.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë