Loading…

“Çështja e martesës në Kodin Civil, në kundërshtim dispozitat ligjore të ligjit për familje”

  • 25/02/2022 | 08:30

“Çështja e martesës në Kodin Civil, në kundërshtim dispozitat ligjore të ligjit për familje”

Kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, thotë se propozimi i Qeverisë për Projektligjin për Kodin Civil, nuk guxon të jetë në kundërshtim me dispozitat ligjore të Ligjit për Familje.


Si i tillë ai thotë se ky Ligj është në fuqi dhe se asnjë dispozitë e kodit civil i cili propozohet nuk guxon të jetë në kundërshtim me dispozitat ligjore.

Ai thotë se si drejtues i Partisë së Drejtësisë ka qëndrim shumë të kundërt me propozimin që Qeveria e ka dhënë për ndryshimet në Kodin Civil.

“Mendoj se ka pasur nevojë përfundimisht që kodi i ri civil të rregulloj disa aspekte, disa raporte të cilat ekzistojnë ndërmjet individëve të cilët jetojnë në bashkësi të ndryshme, në forma të ndryshme të bashkëjetesës, posaçërisht kur janë çështjet e pasurisë në pyetje ose kur janë në pyetje çështjet e trashëgimisë, që është normale. Por, përfundimisht jam shumë kundër dhe Partia e Drejtësisë është kundër çfarë do përpjekjeje që nëpërmjet ndryshimeve në kodin civil të preket dispozita ligjore që rregullon çështjen e familjes në ligjin për familje. Pra Ligji për Familje është ai i cili e rregullon këtë çështje në mënyrë gjithëpërfshirëse komplekse në pajtim me traditën e popullit të Kosovës në pajtim me vlerat etike dhe morale të qytetarëve të saj dhe kjo është normë ligjore e sanksionuar nga Kuvendi i Kosovës. Është në fuqi dhe asnjë dispozitë e kodit civil i cili propozohet nuk guxon që të jetë në kundërshtim me dispozitat ligjore të ligjit për familje”.

Agani thotë se edhe në Bashkim Evropian ka shtete që nuk e kanë në fuqi këtë ligj. Ai thotë se individët e caktuar janë të lirë të bashkëjetojnë por jo të lejohen martesat e së njëjtës gjini.

“Nuk është situata homogjene në të gjithë Bashkimin Evropian. Edhe në Bashkimin Evropian kemi shtete të cilat nuk e kanë të sanksionuar këtë të drejtë dhe madje shoqëritë e tyre janë kategorikisht kundër rregullimit të tillë të marrëdhënieve. Por, ajo që neve duhet të na interesoj, nuk duhet të na interesoj në radhë të parë se si e kanë rregullu shtetet e tjera këtë çështje po duhet të na interesoj se cilat janë interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, shoqërisë kosovare lidhur me këtë çështje. Pra ne jemi shumë të interesuar që të ndërtojmë një shoqëri pa diskriminim. Në shoqërinë kosovare nuk guxon që të ketë asnjë lloj diskriminimi mbi asnjë bazë përfshirë edhe atë mbi bazën e orientimit seksual”, thotë Agani.

Tutje, Agani thotë se orientimi seksual nuk duhet ta lejojë diskriminim e vlerave etike dhe morale të shoqërisë.

“Mirëpo për hirë të orientimit seksual nuk mund të lejohet diskriminimi i vlerave etike dhe morale të shoqërisë. Pra në anën tjetër shoqëria i ka të drejtat e saja, individët dhe shumë familje në këtë shtet kanë të drejtën e insistimit në vlerat etike dhe morale të cilat i kanë kultivuar me shekuj në familjet e tyre dhe të cilat deri më tani i kanë mundësuar këtij kombi që të mbijetoj nëpër situata tepër të rënda traumatike në historinë e tij”.

“Prandaj ruajtja e familjes është e shenjtë, mendoj se është detyrë shtetërore, detyrë e çdo qytetari të Republikës po njëkohësisht edhe të gjendet zgjidhje ligjore të cilat individëve të caktuar do t’ju mundësonte që të jetojnë të lirë në shtetin e tyre por natyrisht duke e pasur të vetmin kufi të lirive të tyre, liritë dhe të drejtat e qytetarëve të tjerë me të cilët bashkëjetojnë”, thotë Agani.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë