Loading…

“Çështja e dialogut dhe taksës do të zgjidhen shpejtë”

  • 09/03/2019 | 10:27

“Çështja e dialogut dhe taksës do të zgjidhen shpejtë”

Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Valon Murtezaj, shprehet i bindur se javët në vazhdim do të gjendet zgjidhje për të kapërcyer mosmarrëveshjet për taksën e vendosur ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnja.


Për këtë çështje ai thotë se në Kosovë do të vijnë për vizitë zyrtarë të lartë nga SHBA-ja dhe Gjermania.

Murtezaj i tha Ekonomia Online se taksa nuk duhet të jetë pengesë e zhvillimit të mëtutjeshëm të dialogut Kosovë-Serbi.

“Sa i takon dialogut, kjo çështje nuk do të duhej të ishte pengesë sepse mund të bëhet pjesë e diskutimeve më të gjera, por po ashtu po shohim javët e fundit, javën e fundit dhe javën që vjen do të kemi zyrtarë të lartë edhe nga ShBA, edhe nga Gjermania. Kemi pasur deklarata nga qeveria britanike, por edhe qeveritë tjera. Javët në vazhdim do të gjejnë një mënyrë për të kapërcyer situatën në të cilën jemi, unë kam shpresë se Kosova do të ecë mirë në këtë drejtim. Gjërat duhet të shikohen në një kontekst më të gjerë, nuk duhet të flasim vetëm për një çështje. Duhet që taksa të akomodohet brenda përbrenda diskutimeve të përgjithshme për të kapërcyer situatën”, tha ai.

Zgjidhje për kapërcimin e kësaj mosmarrëveshje ai e sheh edhe suspendimin e taksës, por thotë se Kosova nuk duhet që të koncentrohet vetëm në dialog, duke lënë anash çështjet e tjera të rëndësishme si vizat dhe integrimin në BE.

“Çështja është e suspendimit dhe unë besoj se vizita që do të ndodhë e zyrtarëve të lartë amerikanë tani do t’i japë një zgjidhje situatës aktuale që lidhen me taksën, por edhe me dialogun dhe me disa aspekte të tjera të përgjithshme që lidhen me integrimin e Kosovës në procesin evropian, sepse ne i kemi vizat dhe procesin e ngadaltë të integrimit. Të gjithë këto janë pjesë e paketës së diskutimeve, është vështirë që vetëm në një element të kemi fokus”, tha ai.

Ai mohon prishjen e marrëdhënieve me SHBA, edhe pse shteti më i fuqishëm në botë ka qenë kundër vendimit të Qeverisë Haradinaj të 21 nëntorit të vitit të kaluar.

“Jo sepse ne jemi partnerë dhe besoj që me një komunikim adekuat të gjithë këto do të tejkalohen. Për ne SHBA janë partneri kryesor në gjithë udhën tonë deri tani dhe në të ardhmen”, tha ai.

Murtezaj thotë se duhet të adresohen në mënyrë të duhur çështja e krimeve të luftës së fundit në Kosovë.

“Duhet një vëmendje më e shtuar dhe të jetë pjesë e bisedave sepse është gjë më themelore, është aspekt human dhe unë jam i sigurt që kjo do të adresohet”.

Sipas tij, bisedat ndërshtetërore nuk mund të quhen dialog por negocim, pasi e quan Serbinë të pavullnet për të zbatuar marrëveshjet paraprake.

“Procesi aktual që quhet dialog ka dallim substancial prej procesit negociator. Në fakt ky që bëhet tash është proces i negocimit sepse palët negociojnë jo në klimë konstruktive dhe sidomos pala e Qeverisë së Serbisë dhe nuk kanë vullnet për t’i zbatuar marrëveshjet të cilat janë marr vesh paraprakisht. Po ashtu edhe aspekti i retorikës është shumë i rëndë që nuk jep shenja për arritje të marrëveshjes, përkundrazi shpesh herë për eskalim të situatës konfliktuoze. Ajo çka duhet të bëhet është se tri palët, përfshirë BE-në ta kenë të qartë se çka duan dhe si duan që të shkojnë deri atje. Nuk duhet të lejojmë që përfundimi të jetë i dhimbshëm, nuk e kuptoj këtë retorikë që është përdorur. Kosova e di kush është, është shtet, e di çka do, e ka rrugën përpara të integrimit evropian dhe po ashtu është e interesuar për fqinjësi të mirë me të gjitha vendet fqinje. Këto janë parimet themelore që i zbaton Kosova dhe duhet të punojë fuqishëm në realizimin e tyre dhe jo të dalë përtej këtyre parimeve”, përfundoi ai.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë