Loading…

Bushati takohet me liderët e Luginës: Të drejtat e shqiptarëve në Serbi të jenë sikurse të serbëve në Kosovës

  • 23/08/2018 | 16:41

Bushati takohet me liderët e Luginës: Të drejtat e shqiptarëve në Serbi të jenë sikurse të serbëve në Kosovës

Një marrëveshje për njohje të ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë do të sillte normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, por dhe garanci e fortë për stabilitetin e rajonit, është shprehur ministri shqiptar për Evropën dhe Punët e jashtme, Ditmir Bushati gjatë një takimi ku priti përfaqësues të Luginës së Preshevës.


Në kulmin e debatit rreth korrigjimit të kufijve, Bushati ndau me bashkëbiseduesit qasjen e Shqipërisë në raport me këto zhvillime, duke e vënë theksin tek rëndësia e vijimësisë së dialogut dhe orientimin e tij në mënyrë efektive, në terma të qartë, pa ekuivok dhe të balancuar për sa i përket zbatimit të plotë të marrëveshjeve dhe avancimin e proceseve integruese të Kosovës.

“Ne i qëndrojmë bindjes sonë se procesi i dialogut duhet të përmbyllet me një marrëveshje për njohje të ndërsjellë mes dy vendeve, që do të sillte jo vetëm normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes tyre, por edhe do të ishte një garanci e fortë për stabilitetin demokratik të të gjithë rajonit”, tha ai.

Temë bisede ishin dhe shqetësimet e parashtruara nga përfaqësuesit politikë të Luginës, për ecurinë socio-ekonomike, kulturore e arsimore, si dhe mungesën e shërbimeve dhe të standardeve parësore, që po çojnë drejt humbjes së perspektivës për të rinjtë dhe largimin e tyre nga Lugina.

Ministri Bushati ritheksoi angazhimin për mbështetje të pakushtëzuar në adresimin e kërkesave të tyre, çka është materializuar edhe në një sërë iniciativash e kontributesh për nxitjen e kapaciteteve zhvillimore nga ana e Qeverisë shqiptare. Ai i siguroi bashkëbiseduesit se shteti shqiptar do të vijojë të kërkojë nga Serbia për shqiptarët e Luginës atë që atyre u takon, më shumë mirëqenie, më shumë respekt dhe më shumë përfshirje në proceset integruese të Serbisë.

“Është detyrim i drejtpërdrejtë i autoriteteve serbe të sigurojë përmbushjen tërësore të të drejtave për popullsinë shqiptare në Serbi në respekt të angazhimeve që burojnë nga procesi i negocimit me Bashkimin Evropian, si edhe të normave të gjithëpranuara ndërkombëtare. Ajo çka kërkojmë nga Serbia për ju është të sigurojë as më shumë e as më pak sesa të drejtat që gëzojnë serbët në Kosovë”, u shpreh Bushati.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë