Loading…

Burrnesha e fundit e Bjeshkëve të Rugovës

  • 31/12/2016 | 14:24

Burrnesha e fundit e Bjeshkëve të Rugovës

Gjithë jetën e kaloi në odën e burrave dhe në stanet e bjeshkëve.


Si rezultat i rrethanave të kohës, shumë femra detyrohen të kthehen në burra, apo si njihen në rajonin e Dukagjinit si burrnesha. Një prej tyre është edhe Mire Metë Lajçi nga fshati Malaj i Rugovës.

“Më duket që kam lindur e paracaktuar t’i takoj botës së burrave. Në moshë shumë të re vendosa mbi kokë plisin e bardhë që ma pati blerë babai e që ishte simbol i djalësisë. Kurrë në jetë nuk kam pasur gëzim më të madh. Barta 40 vjet pushkën në krah, për po aq vite ruajta 200-300 krerë dele në Bjeshkën e Leqinatit te Guri i Kuq. Isha zot shtëpie në familjen e Metë Lajçit. Them zot shtëpie, ngase vishja rroba meshkujsh, plis dhe shami në kokë”, thotë Mire Lajçi, duke shtuar se as meshkujt më të mirë nuk mund t’ia kalonin në asnjë punë e as në kuvend për nga mençuria.

Tani jeton në fshatin Nabërgjan të Pejës e rrethuar me familjarët e saj, me vëllezër, djem të tyre dhe nipa e mbesa që e duan aq shumë dhe e bëjnë shumë të lumtur në këto vite të pleqërisë, shkruan gazeta Kosova Sot në numrin e Vitit të Ri.

Në shoqërinë e zanave të malit

Mire Lajçi shprehet se ashtu sikurse pjesa më e madhe e familjeve rugovase, edhe familja e tyre bënin një jetë të vështirë prej barinjsh në Malaj të Rugovës, prej andej nga ka origjinën edhe presidenti historik, Ibrahim Rugova.

“Bëra jetën e bariut të lumtur, shijova aq gjatë e me shumë pasion tërë ato bukuri të këtyre bjeshkëve, rrita tufën për çdo ditë e më shumë, rrethohesha me blegërimën e qengjave dhe shoqërohesha me lojën në fyell e kavall. Atje bashkë zanat e malit ishin pararojë e këtyre bjeshkëve. Isha zot shtëpie në familje, bëja pazaret e familjes, kujdesesha për të gjitha dhe për të gjithë në familjen time, mbi krah bartja armën”, kujton kjo burrneshë e këtyre shkrepave.

Në familje e trajtojnë si vëlla

Ai shprehet se ka pasur vëllezër dhe tri motra, dhe ata asnjëherë nuk e kanë konsideruar ndryshe por vetëm si vëlla.

“As motrat nuk më konsideronin si motër, por si vëlla dhe kjo më bënte më të lehtë qëndrimin tim në mesin e burrave. Më kujtohet se në fillim kur mora shtat dhe vendosa të mbetem burrneshë në mesin e burrave, babai im nuk e kundërshtoi me asnjë fjalë vendimin tim, por më vonë si dukej nuk ishte edhe aq i lumtur, ngase iu dhimbesha që kisha marrë një vendim të tillë. Por, unë ju them me plot bindje se jam shumë e lumtur që mora këtë rrugëtim nga i cili dola shumë e burrëruar”, thotë Mire Lajçi. /gazetametro.net

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë