Loading…

Bulliqi për Demarkacionin: Kundërshtimi solli vota dhe insistimi humbi

  • 02/07/2017 | 10:09

Bulliqi për Demarkacionin: Kundërshtimi solli vota dhe insistimi humbi

Shpejtim Bulliqi, ish-deputeti i LDK-së analizoi rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit në raport me marrëveshjen e demarkacionit. Pavarësisht mospërfshirjes në listën e deputetëve, ai mohoi se do të largohet nga LDK-ja.


Ish- deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpetim Bulliqi tha se insistimi i qeverisjes së kaluar për të ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi ka ndikuar në rënien e votave të ish-partive në pushtet në zgjedhjet e 11 qershorit.

“Po besoj se tek LDK dhe PDK, konkretisht lidershipi i këtyre dy subjekteve që insistonin fort në ratifikimin e marrëveshjes së dëmshme të demarkacionit, kanë kontribuar qe pos tjerash, pjesërisht qëndrimi i tyre të ndikojë edhe në rënien e numrave te votave”, tha Bulliqi.
Ai konstatoi se kundërshtimi i fuqishëm i marrëveshjes së demarkacionit nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje bëri që kjo e fundit të dalë me një numër shumë të madh të votave në po të njëjtat zgjedhje.

Bulliqi deklaroi se shpreson që Kuvendi i ri do ta rrëzojë marrëveshjen për përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi të nënshkruar në Vjenë më 26 gusht 2015.

“Nuk e di se si do të trajtohet çështja e demarkacionit nga qeveria e re, shpresoj se do ta rrëzojnë në kuvend dhe të zgjidhet çështja ne biseda direkte me Malin e Zi”, tha Bulliqi për KALLXO.com.

Kryeministri Isa Mustafa deri në momentet e fundit para rrëzimit të qeverisë së tij nga mocioni i mosbesimit më 10 maj, kishte insistuar që të kalojë në Kuvend marrëveshja e demarkacionit.

Bulliqi këtë insistim të Mustafës, por edhe presidentit Thaçi e kishte cilësuar presion ndaj deputetëve. Marrëveshja e demarkacionit ishte dërguar në Kuvend më 1 shtator 2016, por ishte tërhequr nga qeveria pa u votuar, ndërsa më pas, pavarësisht deklaratave, nuk i shkoi edhe njëherë Kuvendit.

Bulliqi që nuk u përfshi në listën zgjedhore të Koalicionit LDK- AKR- Alternativa tha se edhe përjashtimi i tij dhe disa të tjerëve u reflektua në vota.

“Mua dhe disa kolegë tjerë padrejtësisht na përjashtuan nga listat kryetari me nënkryetarët e LDK-së. Neve na dëmtuan individualisht por LDK-në e dëmtuan më shumë, sepse e zvogëluan numrin e votave për LDK. Pra egot personale të një klani të ngushte në LDK, kontribuuan që ta irritojnë elektoratin e LDK-së duke e bërë atë si subjekt/koalicion të dalë e treta në këto zgjedhje”, tha Bulliqi për KALLXO.com.

Bulliqi në maj kur u publikua lista e koalicionit LDK- AKR- Alternativa, kishte reaguar duke thënë se e larguan prej saj nga frika.
Por ai, pavarësisht mospërfshirjes në listën e deputetëve, mohoi se do të largohet nga LDK-ja.

“Do të vazhdoj të jem pjesë e LDK-së, sepse aty nuk jam për hatër të lidershipit klanor, por për faktin se jam pjese e LDK-së që 27 vjet. Kanë pas provuar disa parashutistë te LDK-së që të më ‘përjashtojnë’ nga LDK-ja gjatë mandatit që lamë pas, por sot s’po gjenden askund për nga votat, edhe pse ishin pjesë e listës për deputetë”, tha Bulliqi.

Ai mendon se drejtuesit e LDK-së u ndëshkuan për vendimet në disfavor të kësaj partie.
“Elektorati u dha karton të verdhë kryetarit dhe nënkryetarëve për vendimet e tyre në disfavor të LDK-së”, tha Bulliqi.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë