Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic, të premten komentoi situatën dhe presionin në të cilin gjendet Serbia ku akuzoi opozitën serbe dhe thumboi kryeministrin Albin Kurti për komentet e tij për Serbinë, transmeton Gazeta Metro.
Brnabic në intervistë për portalin serb B92 tha se Serbia gjendet në presion të madh politik rreth sanksioneve që nuk i ka vendosur Rusisë. Ajo e komentoi edhe deklaratat e kryeministrit Kurti duke reaguar me thumbime e akuza.
“Zoti Kurti është në turne në SHBA me shpresë se do të ketë sukses në aranzhimin e ndonjë takimi, e nuk po më duket se po i shkon edhe aq mirë. E vetmja që i mbetet është të sulmojë Alkesandar Vucic, që është burimi i frustrimit të tij”.
“Njeriu që serbëve në Kosovë e Metohi iu hoqi të drejtën themelore njerëzore, të drejtën e votës, më 2022’n me të vërtetë nuk ka të drejtë të flasë për regjime autokratike. Një njeri që në një moment e ndaloi edhe mediat në gjuhën serb, e që po kryen dhunën më brutale ndaj serbëve në Kosovë e Metohi” u ankua Brnabic.
Duke e arsyetuar shefin e saj kur u sfidua me akuzat se Vucic po përfiton nga frika dhe paniku. Brnabic tha se Vucic po kryen detyrën si një zyrtar serioz shtetëror, duke treguar të vërtetën, pa zbukuruar./gazetametro.net