Një veteran të UÇK-së e presin 40 vjet burg në Serbi dhe kjo e fundit kishte tentuar ta ekstradoj, por qeveria e tij nuk e kishte lejuar një gjë të tillë.
Harrison, kishte qenë pjesë e Brigadës 138 – Agim Ramadani. Atij ende i duket sureal trajtimi prej heroi që ia bëjnë kosovarët.
Jon Harrison, tani po ballafaqohet me një tjetër betejë të vështirë për jetën e tij.
Ai është diagnostikuar me kancer, dhe është detyruar të kërkoj ndihmë për të mbledhur 40 mijë funte për një operim, që nuk ia mbulon sigurimi shëndetësor.
Harrison, ndër të tjerash është i dekoruar me urdhrin Adem Jashari, e edhe një rrugë në qytetin e Prizrenit mban emrin e tij.
Në kampanjën për mbledhjen e fondeve, nuk mungojnë donacione nga Kosova por që ende nuk është mbërritur caku prej 40 mijë funtesh.
Ndihmë për të, është kërkuar edhe nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së.
Jon Harrison i ka thënë KTV-së se mjekët i kanë propozuar që intervenimin të mos e shtyj më larg se në muajin prill, pasi që mund të mos ketë efekt më pas.
Mirëpo ai premton se do të jetë në Kosovë në muajin shkurt për të festuar në ditën e pavarësisë, për herë të parë pas vitit 2008.