Drejtoresha e infermierisë në “East Lancashire Hospitals” në kuadër të NHS-së, ka deklaruar për Gazetën Shneta se janë duke hulumtuar mundësitë për rekrutimin e stafit të mesëm nga Kosova. Christine Pearson ka thënë se infermieret do të duhej të plotësonin të gjitha kërkesat e Këshillit Britanik për Infermieri dhe Mami si dhe testin e gjuhës angleze.
Ditët e fundit mediat britanike raportuan se Shërbimi Kombëtar i Shëndetit (NHS) në Britani të Madhe po i shqyrton mundësitë për rekrutimin e infermiereve nga vendet e Evropës juglindore, veçanërisht nga Kosova. Këtë e ka konfirmuar Zyra për Medie e këtij shërbimi në një përgjigje për Gazetën Shneta.
Drejtoresha e Infermierisë në “East Lancashire Hospitals” në kuadër të NHS-së, Christine Pearson, ka thënë se rekrutimi i stafit të infermierëve viteve të fundit ka qenë sfidë për NHS-në në Angli. Ajo ka deklaruar se spitalet në Lancashire kanë investuar shumë poashtu në rritjen e numrit të vendeve të punës për stafin e mesëm.
“Ne kujdesemi shumë që të përgatisim stafin tonë dhe jemi krenarë që arrijmë t’i mbajmë shumicën e infermiereve që studiojnë në klinikat tona, duke i kthyer vendet e tyre në pozita të përhershme pune. Por megjithatë kemi ndërmarrë edhe një numër projektesh për rekrutimin ndërkombëtar për të mundësuar mbajtjen e sigurt të nivelit të personelit në repartet e spitaleve tona”, ka deklaruar Pearson.