Banka Qendrore e Kosovës ka marrë vendim që t’ua revokojë regjistrimin institucioneve mikrofinanciare, “IuteCredit Kosova” dhe “Monego”.
Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, në konferencë të jashtëzakonshme ka thënë se ky vendim është marrë pasi që dy institucionet kanë devijuar nga plani i të tyre të biznesit për të operuar në Kosovë, njofton Klan Kosova.
“Ato i kanë sjellë diçka tjetër tregut nga çka kanë premtuar. Devijimi më shqetësues ka të bëjë me normën e interesit në kredi që kanë rezultuar të jenë shumëfishë më të larta sesa që ato janë paraparë”, ka thënë Mehmeti.
“Normat e interesit janë jashtë çdo standardi, prandaj BQK është përpjekur që t’i adresojnë këto probleme. Ne vlerësojmë se këto institucione kanë dështuar t’i sjellin tregut rezultate të mira”.