Loading…

Borrelli i gëzohet sanksioneve të Amerikës ndaj bandave kriminale në Veri

  • 09/12/2021 | 11:15

Borrelli i gëzohet sanksioneve të Amerikës ndaj bandave kriminale në Veri

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se i mirëpret sanksionet ndaj kriminelëve serb në veriun e Kosovës, shkruan Gazeta Metro. 


Ai ka thënë se vendosja e këtyre sanksioneve ndaj disa serbëve përbëjnë hap të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor i cili i ndihmon sigurisë dhe stabilitetit.

“Shkatërrimi i rrjeteve kriminale transnacionale kontribuon në sigurinë, stabilitetin dhe përmirëson sundimin e ligjit në mbarë rajonin. BE-ja është plotësisht e angazhuar në arritjen e këtij synimi të përbashkët”, tha Borrell.

Të mërkurën, Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja, që është në kuadër të Departamentit amerikan të Thesarit, publikoi një listë të individëve dhe kompanive të tyre në vende të caktuara, që me një emër quhen “Shtetas të etiketuar në mënyrë të posaçme”. Përveç Steviqit, në këtë listë janë përfshirë edhe Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, Srgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq – të gjithë serbë nga Kosova.

Me futjen në listën e sanksioneve, pronat e të gjithë të sanksionuarve bllokohen dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet që të bashkëpunojnë me ta. SHBA-ja tha se Zvonko Vesellinoviq identifikohet si udhëheqës i Grupit të Krimit të Organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë. Sipas njoftimit, ky grup ka qenë i përfshirë në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë, thuhet në komunikatë.

Sipas Departamentit amerikan të Thesarit, grupi gjithashtu ka bërë komplot me politikanë të ndryshëm për favore të ndërsjella, përfshirë dhënien e ryshfetit zyrtarëve kosovarë të sigurisë, për të lejuar operacione të tyre të kontrabandës midis Serbisë dhe Kosovës në fillim të vitit 2019 dhe dhënien e ryshfetit zyrtarëve kufitarë të Kosovës për t’iu lejuar kontrabandistëve kalim të sigurt në fund të vitit 2017. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se “këto sanksione shënjestrojnë autorët e korrupsionit, në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv 13818”, i cili bazohet në Aktin Global të Përgjegjshmërisë për të Drejtat e Njeriut, i njohur si Akti Magnitsky. “Krimi i organizuar transnacional është destabilizues. Këto grupe shpesh bashkëpunojnë me zyrtarë publikë për të mbrojtur veten nga ndjekja penale dhe përgjegjësia”, tha Blinken. /gazetametro.net

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë