Ben Blushi, ish-deputet i Partisë Socialiste, tani lider i subjektit politik më të ri në Shqipëri të quajtur “Libra”, gjatë seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë ka folur për deklaratat që kishte dhënë kryeministri Edi Rama lidhur me atëkohë kandidatin për zgjedhjet presidenciale në Amerikë, tani presidentin e zgjedhur Donald Trump.
Sipas Blushit, Rama nuk kishte asnjë të drejtë të jepte deklarata politike kundër këtij apo atij kandidati në cilësinë e kryeministrit të vendit, në emër të popullit shqiptar. Ai shtoi se në nivelin personal, Rama mund të rreshtohej me cilindo kandidat që donte, por si kryeministër i një vendi për të cilin përkrahja amerikane ka shumë rëndësi, nuk kishte asnjë të drejtë ta bënte.
“…në fakt si një amator profesionist, mund të rreshtohet me këdo, si kryeministër nuk e kishte këtë të drejtë. Megjithatë e bëri, por nuk bëri vetëm kaq, por shumë më shumë. Ajo që bëri nuk ishte një zgjedhje, ai ofendoi dhe fyu një kandidat ç’ka as Clinton nuk e bëri, se kushdo të ishte në vend të tij nuk do e bënte”, ka thënë Blushi, raporton Tv Klan.
Ka njerëz që nuk janë dakord dhe s’mund të jenë dakord me retorikën e Trump dhe kjo është normale, por askush nuk e ka fyer. Dhe nëse ky tha se me fitoren e Trump marrëdhëniet e shqiptarëve rrezikohen, pyetja që kam unë është kush e kërcënon Shqipërinë sot? /gazetametro.net