Në shkurt të vitit 2026, sektori energjetik ka shënuar një zhvillim të çuditshëm ku importi i energjisë elektrike është rritur për 7.25%, ndërsa konsumi ka rënë për 3.75% krahasuar me shkurtin e vitit 2025, shkruan Gazeta Metro.
Në muajin shkurt 2026, të dhënat tregojnë një zhvillim kontradiktor në sektorin energjetik ne Kosovë, derisa konsumi i energjisë elektrike ka rënë, importi ka vazhduar të rritet.
Konsumi total ka arritur në 516.187 GWh, që është 3.75% më pak krahasuar me shkurtin e vitit 2025. Rënie është shënuar sidomos te amvisëritë (-6.22%) dhe te konsumatorët e tensionit të lartë (-13.71%), duke reflektuar një kërkesë më të dobët për energji në vend.
Megjithatë, pavarësisht kësaj rënieje, importi i energjisë elektrike është rritur në 402.134 GWh, ose 7.25% më shumë se një vit më parë.
Kjo nënkupton se vendi ka blerë më shumë energji nga jashtë, edhe pse ka pasur më pak nevojë për të. Situata bëhet edhe më e paqartë kur merret parasysh fakti se prodhimi vendor nuk ka qenë në rënie.

Përkundrazi, prodhimi nga termocentralet është rritur për 6.82%, ndërsa hidrocentralet dhe burimet alternative kanë shënuar rritje të mëdha prej 123.43% dhe 96.11%.
Në të njëjtën kohë, eksporti i energjisë ka shpërthyer në 294.671 GWh, ose 122.69% më shumë se në shkurtin e vitit 2025.
Kjo tregon se një pjesë e konsiderueshme e energjisë, qoftë e prodhuar brenda apo e importuar, është orientuar drejt tregjeve të jashtme.
Si pasojë e këtij kombinimi, energjia elektrike bruto në dispozicion ka rënë në 709.140 GWh, ose 8.69% më pak se një vit më parë./gazetametro.net
