Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se kryeministri Albin Kurti pas takimit me emisarin e BE-së, Miroslav Lajcak, ka thënë se e ka pranuar vetëm platformën e propozuar nga plani franko-gjerman, ndërsa për zbatimet e marrëveshjeve do të diskutohet në Bruksel.
“Ajo që Kurti ka nxjerrë pas takimit është informata se ai është dakord me platformën e propozuar nga plani franko-gjerman me mbështetje të SHBA-së. Por, platforma vetëm tregon principet dhe veprimet bazë, ndërkaq gjithçka që ka të bëjë me implementimin e saj duhet të diskutohet në aneksin implementues të mes palëve në Bruksel. Plani franko-gjerman i tregon kornizat bazë që nënkupton njohjen de facto të dy shteteve, ndërkaq se si do të ecë sekuencimi i hapave, cilat marrëveshje nuk janë më të rëndësishme, cilat duhet të modifikohen, cilat të zbatohen, si të zbatohen, për këtë pastaj diskutojnë palët në Bruksel”, ka thënë ai në një konferencë për media.
Bislimi tha se s’ka pasë diskutim për asnjë prej marrëveshjeve paraprake, por për kornizën e propozimit e planit franko-gjerman.