Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë gjatë ditës së djeshme ndaj Shefqet Krasniqit nën akuzat për vepra penale.
Gjithmonë duke iu referuar aktakuzës thuhet se Krasniqi ka bërë shmangien e tatimit që nga 2011-ta deri në 2016-tën.
Mirëpo përkundër kësaj, Bashkësia Islame e Kosovës nuk ka dalur ende me ndonjë qëndrim të sajin sa i përket aktakuzës së ngritur.
Indeksonline ka kontaktuar me zyrën për informim në Bashkësinë Islame të Kosovës, duke kërkuar një prononcim lidhur me aktakuzën, mirëpo nuk ka arritur të marr ndonjë përgjigje me pretekstin se të gjithë ata që janë kompetent të flasin janë në një konferencë për parandalimin e ekstremizmit.
“ Nuk është për momentin askush këtu. Të gjithë janë në një konferencë për parandalimin e ekstremizmit. Konferenca zgjat dy ditë. Ne nuk mundemi me fol”, thotë një zyrtar për informim në BIK.
Krasniqi dyshohet se ka fshehur dhe shmangur tatimin të biznesit privat N.T “Portat”, si dhe ka dhënë të dhëna të pasakta, duke shmangur kështu vlerën tatimore prej 20,208.57 eurosh.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit Sh.K., për veprat penale: Shtytja për kryerjen e veprave terroriste, sipas nenit 141 tё Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, sipas nenit 147, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Shmangia nga Tatimi sipas nenit 313 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 tё Kodit Penal tё Republikës se Kosovës.