Presidenti i shpallur nga mediat amerikane, Joe Biden, deklaroi të mërkurën se beteja kundër koronavirusit “është si të hysh në luftë. Duhet një komandant i përgjithshëm”. Ideja e marrjes së kontrollit të tërësishëm në duart e qeverisë federale dhe ishte shtyrë para nga demokratët edhe në pranverë të këtij por ishte refuzuar nga presidenti amerikan Trump dhe administrata e tij, transmeton Gazeta Metro.
Joe Biden pritet të bëhet presidenti i 46’të i SHBA’së, pas certifikimit të zgjedhjeve me 14 dhjetor dhe ceremonisë së betimit më 20 janar, nëse kontesti ligjor nga republikanët nuk dëshmon se kishte parregullsi në zgjedhje, siç pretendojnë.
Gjatë një tryeze të rrumbullakët të zhvilluar përmes internetit me punonjës të kujdesit shëndetësor, të cilët ai i quajti heronj në betejën me koronavirusin, Biden parashikoi: “Do të bëj gabime. Por ju premtoj se do t’i pranoj kur t’i bëj dhe do të marrë përgjegjësi”.
Biden tha se kur të vijë në detyrë, do t’u kërkojë guvernatorëve të shteteve të bëjnë të detyrueshme vënien e maskave, testet, gjurmimin e personave që kanë qenë në kontakt me të infektuar si dhe distancimin fizik.
“Do të përdor Ligjin e Autorizimit për Mbrojtje, do të përdor autoritetin e postit. Fjalët e një presidenti amerikan kanë rëndësi,” tha ai.
Këtë e kishin përsëritur edhe më parë demokratët dhe kishin kërkuar në pranverë e verë. Ky ligj do t’i jepte kompetenca e autoritet presidentit dhe qeverisë federale të tejkalonte pushtetin e shteteve.
Ndërkohë që vazhdonte diskutimi, qyteti i Nju Jorkut deklaroi se po mbyllte klasat në shkolla publike, për ta vazhduar mësimin përmes internetit, si rezultat i shtimit të ritmeve të infektimit.
Ky qytet arriti brenda një jave ritmet shqetësuese me 3% të infektuar ndër personat e testuar, duke çuar në vendimin e marrë nga kryebashkiaku, Bill de Blasio.
Shteti i New York dhe vet metropoli konsiderohen se është shteti më i keq menaxhuar gjatë pandemisë. I përfshirë në një skandal gjatë pandemisë ishte edhe vëllai i guvernatorit të Nju Jork, Chris Cuomo, gazetar i CNN që ishte zënë duke i shkelur rregullat e karantinës, sa ishte i infektuar me Covid-19.
Nancy Pelosi udhëheqësja e demokratëve në Kongres ishte zënë gjatë pandemisë duke shkuar tek një sallon për të rregulluar flokët kur kjo ishte ndaluar për qytetarët amerikanë.
Ka shumë kritikë që i akuzojnë demokratët për standarde të dyfishta, siç ishte rasti i fundit me Guvernatorin e shtetit të California, Gavin Newsom, që ishte pjesëmarrës në një aheng privat me shumë të pranishëm e pa asnjë masë kufizuese që i ka imponuar qytetarëve të vet. Newsom ka kërkuar falje për këtë incident, i dyti ku kapet duke shkelur rregullat.
Kritika dhe dyshimi se demokratët kanë synim që me gjendjen e jashtëzakonshme të keqpërdorin ligjet e emergjencave për të anashkaluar ligjet e të drejtat e qytetarëve dhe shteteve për përfitime politike vetëm sa po shtohen, e këto deklarata të Biden nuk po ndihmojnë aspak për të shuar këto kritika.
Mohimi i punës së administratës së Trump me nismën e tij mbarëkombëtare Operation Warp Speed, siç ka bërë Bill De Blasio i demokratëve që kishte deklaruar se Trump nuk kishte merita fare për vaksinën, duke injoruar se qeveria federale ju kishte ndarë kompanive 14 miliardë dollarë për të zhvilluar vaksinën dhe ilaçet e përmirësuar kapacitetet prodhuese të vaksinës.
Mbi 11.4 milionë vetë janë identifikuar në SHBA si të prekur nga koronavirusi, ndërsa të mërkurën vendi shënoi 250,000 të vdekur nga sëmundja, sipas statistikave të përpunuara nga Universiteti Johns Hopkins.
Biden gjithashtu fajësoi Administratën për Shërbime të Përgjithshme se nuk ka njohur fitoren e tij në zgjedhje dhe nuk lejon zyrtarë federalë, përfshirë ata që merren me luftën kundër koronavirusit, të bashkëpunojnë me ekipin e tij të tranzicionit. Administrata për Shërbime të Përgjithshme është një agjenci federale që është përgjegjëse për riparime, mirëmbajtje dhe organizim funksional të mjediseve ku operojnë entitete të qeverisë federale.
Presidenti Trump vazhdon të bllokojë tranzicionin e rivalit të tij në zgjedhje, duke mos i lejuar Biden të marrë “Dosjen e Përditshme të Presidentit,” ku përfshihet një raport i agjencive të zbulimit mbi problemet e sigurisë dhe pikat e nxehta në botë. Presidenti gjithashtu nuk ka lejuar që ekipi i Biden të komunikojë me një numër agjencish qeveritare.
Këto ankesa të Biden dhe mediave që e shpallën atë si fitues në zgjedhje nuk kanë mbështetje ligjore megjithëse mediave i ishte lejuar dhe pranuar që të njoftonin për rezultate ka kohë tani, por procedura dihet dhe është ligj që presidenti shpallet pas certifikimit të zgjedhjeve nga Kolegji Elektoral me 14 dhjetor. Pretendimi se ka obligim që të informohet Biden rreth situatës nuk qëndron, posaçërisht kur ka raporte të mjaftueshme se ka parregullsi gjatë zgjedhjeve, por jo ende në masë të mjaftueshme për të përmbysur rezultatin e deritanishëm.
Të mërkurën, ashtu siç ka bërë shpesh që nga zgjedhjet e 3 nëntorit, presidenti nuk u shfaq në publik, por shkroi komente në Twitter, duke thënë se i ka fituar zgjedhjet dhe duke ngritur pretendimin se në shtete të lëkundura, ku është shpallur fitues Biden, ka pasur manipulime./gazetametro.net