Ardhmëria (fati dhe fatkeqësia) edhe sot e kësaj dite, krahas zhvillimit të shkencës dhe teknologjisë, mbetet e panjohur në po atë masë sa ishte edhe në kohët e civilizimeve të lashta. Kujdesi që të evitohet fatkeqësia, gjegjësisht që të arrihet deri te fati, bëri që njeriu gjatë gjithë këtyre shekujve në çdo pëllëmbë të tokës, t’i ruaj në traditën e vet këshillat bestyte nga të parët e tij. Kështu bestytnitë me shekuj e shekuj ndikuan në psikën e njeriut.
Ka mjaft bestytni që lidhen me pasqyrat, paratë, shiun, lotët, kripën, etj. Shpesh njerëzit u janë referuar këtyre bestytnive, për kohë të gjatë, brez pas brezi dhe në mënyrë të paarsyeshme. Besimi në shumë bestytni ka shkaktuar edhe luftra, vdekje, dëme të mëdha. Këto bestytni, të krijuara dhe të pranuara prej shekujsh, kanë përgjigje pothuajse për çdo lloj ngjarje.
Bolla e shpisë nuk duhet të mbytet – Gjarpëri i shtëpisë konsiderohet si roje e shtëpisë, dhe nuk duhet të mbytet
Kur macja e zezë “të pret” rrugën – Nëse duke kaluar rrugën, qoftë në këmbë apo me veturë, një mace e zezë ua ‘pret’ rrugën, atëherë ju duhet ta ndryshoni drejtimin apo të ktheheni, pasi kjo është një shenjë e fatkeqësisë. Në mesjetë, macet konsideroheshin kafshë të shtrigave, kështu për të mos pësuar ndonjë fatkeqësi, ato edhe vriteshin.
Prerja e thonjve natën – Besëtytnia ndoshta më e çuditshme që ende besohet është për prerjen e thonjve të dorës dhe të këmbës natën ose përnjëherë. Sipas këtij besimi, nëse ju i prisni thonjtë e këmbës dhe të dorës përnjëherë, dikush do të vdesë në ditën tuaj të dasmës, apo do të ketë edhe dasmë edhe vdekje për një ditë.
Nusja e re në shtëpi të burrit në ditën e martesës, duhet të hyjë (ta shkelë pragun) me këmbën e djathtë, në të kundërtën harmonia e familjes do të shkatërrohet që nga ai çast. —Poashtu me të dy duart (ndonjëherë të lyer me mjaltë) duhet ta prekë pjesën e sipërme të derës-që jeta e çiftit të ri të jetë e ëmbël, e lumtur dhe në harmoni me anëtarët tjerë të familjes.
Kur ju kruhet dora e djathtë – është paralajmërim se do të jipni (te disa e kundërta) para, ndërsa e majta se do të merrni para.
Pasqyra e thyer – Thuhet se pasqyra e thyer ka fuqi që të sjellë gjëra të këqija në jetë, që nëse shikoheni në të, fati u ‘shtyhet’ për shtatë vite./Gazetametro.net