Loading…

Beogradi po pengon zbardhjen e fatit të personave të pagjetur

  • 16/12/2016 | 15:57

Beogradi po pengon zbardhjen e fatit të personave të pagjetur

Kanë kaluar 17 vite që nga Lufta e fundit në Kosovë dhe afër 1700 persona mbesin ende të pagjetur. 


Zbardhja e fatit të personave të pagjetur po vazhdon të mbetet problem në gjithë rajonin, duke përfshirë edhe Kosovën. Kjo shkaku se Beogradi zyrtar, vazhdon të refuzojë të jetë bashkëpunues në këtë proces.

Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, duke folur për gazetametro.net, ka thënë se jo vetëm Kosova por edhe vendet e rajonit kanë një rënie të identifikimeve të reja.

“Jo vetëm në Republikën e Kosovës, por edhe në vendet tjera të rajonit (ish- Jugosllavi) që kaluan nëpër të njëjtat tragjedi të luftërave me përmasa gjenocidiale, ka një rënie të identifikimeve të reja, gjegjësisht gjetjeve apo zbardhjeve të rasteve të personave të zhdukur. Këtu para së gjithash, ka ndikuar mos gatishmëria e Beogradit zyrtar, për të qenë më bashkëpunues në këtë process”, ka thënë Gjetaj.

Arsye tjetër për zgjidhjen e problemit të personave të pagjetur sipas Gjetajt, është sepse mungon një persion nga ana e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë. Një presion i tillë Gjetaj thotë se do të jepte rezultate pozitive.

“Sigurisht që edhe në këtë rast, i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të shtojë presionin ndaj palës serbe, meqë tashmë është konfirmuar se një presion i tillë mund të jap rezultate, si kundër edhe për çështjet tjera”.

Gjetaj thotë se Qeveria e Kosovës vazhdon të përkrah të gjitha nismat rajonale që do t’i kontribuonin në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes mekanizmave kompetent institucional, në këtë rast Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, vazhdon të jetë në përkrahje te të gjitha nismave rajonale që do t’i kontribuonin zbardhjes së fatit të të gjithë personave të zhdukur. Në këtë kontest, ne tashmë kemi nënshkruar edhe marrëveshjet e para të bashkëpunimit, me qëllim të adresimit të sfidave të përbashkëta dhe këmbimit të përvojave, me shtetet fqinje të rajonit”, është shprehur Gjetaj.

Krahas numrit të madh të personave të zhdukur gjatë luftës, Kosova prinë në rajon për nga numri i rasteve të zgjidhura të personave që ishin evidenetuar si të zhdukur.

Sipas Gjetaj, ende rezultojnë të zhdukur 1660 persona nga mbi 6000 raste të hapura që ishin gjithsej.

Njëri ndër lokacionet në të cilat dyshohej për varresa masive këtë vit, ishte Kampusi i Universitetit të Prishtinës i cili pas gërmimit rezultoi të mos ishte varrezë masive.

Sipas Gjetaj, përkundër punës profesionale gjatë këtij viti 8 lokacione të dyshuara kanë rezultuar pa gjetje të mbetjeve mortore të viktimave të luftës.

“Meqë lokacioni në fjalë, ashtu si edhe rreth 8 lokacione tjera gjatë këtij viti, përkundër punës profesionale që është bërë kanë rezultuar pa gjetje të mbetjeve mortore të viktimave të luftës”. /gazetametro.net

 

 

 

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë