Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për çështjen e trenit të Serbisë, i cili ishte nisur nga Beogradi me destinacion Mitrovicën e Veriut, por i ishte pamundësuar hyrja në territorin e Kosovës, pas nj vendimi të Qeverisë së Kosovës dhe pas dislokimit të forcave speciale policore në kufirin me Serbinë.
Në një intervistë dhënë emisionit ‘Komiteti’, presidenti Thaçi i mori meritat për ndaljen e trenit, duke thënë se nëse nuk do të reagonte ai, treni do të futej në Kosovë.
Më tutje, Thaçi tha se vendimi për ta pamundësuar hyrjen e trenit nuk ishte ‘këshillë ndërkombëtare’, por përkundrazi tha se “bashkësia ndërkombëtare ka qenë e gatshme ta gëlltisë hyrjen e trenit” në Kosovë.
“Bashkësia ndërkombëtare ishte e gatshme t’i mbyllë sytë dhe veshët për hyrjen e atij treni”, deklaroi Thaçi.
Më tutje, Thaçi tha se atë ditë, institucionet e vendit kanë funksionuar si tërësi dhe kanë marrë vendimin që ishte në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, duke shtuar se Kosova ishte e gatshme ta zbatojë atë vendim edhe përmes ‘pengesave fizike’./gazetametro.net