Ditëve të fundit në Kosovë është bërë zhurmë e madhe rreth çështjes se a duhet të lejohet bartja e shamisë për vajzat në shkolla. Një qëndrim të fortë rreth këtij debati e ka pasur edhe një bashkatdhetar nga Australia, përcjell Gazeta Metro.
Një qytetar u ndal në rrugë nga gazetari i T7 për një intervistë të shkurtër rreth asaj se si po i kalon këto ditë vere.
Qytetari ishte i shpejtë për të shprehur mllefin e tij ndaj fanatikëve fetarë.
“Janë çu peshë, po lypin shamia në shkolla”, thotë mërgimtari.
“Çka po dojnë shamia në shkolla, s’po di a jena shqiptarë a jena arabë, a çka jena”, thotë më tej burri.
Më pas, ai shpreh edhe më shumë pakënaqësinë që ka ndaj kësaj kërkese, pra për lejimin e bartjes së shamisë: “Kjo është tradhti kombëtare, tradhti ndaj vetvetes, tradhti ndaj kombit. Kjo është vetëvrasje.”
“500 vjet na ka mbajtë turku, 100 vjet serbi, 600 s’mujtën me na asimilu. Tash na kanë shti virusin në trup brenda përbrenda e po e asimilojmë vetveten”, tha mërgimtari nga Australia.
Përndryshe, organizatorët e kampanjës për ndryshimin e Udhëzimit Administrativ i cili ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla, kanë lajmëruar sot se ka përfunduar me sukses kjo kampanjë. Ata thonë se kanë marrë premtime për ndryshimin e udhëzimit nga Ministria e Arsimit.
Për këtë çështje reagim ka pasur edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se ai është për lejimin e shamisë vetëm për vajzat që janë mbi 16 vjeç, duke shtuar se këtë qëndrim e ka mbajtur për vite të tëra./gazetametro.net