Disa banorë të fshatit Abri të Komunës së Drenasit kanë protestuar pranë Qeverisë së Kosovës me kërkesën për të hapur shkollën “Shotë Galica” të fshatit Abri, e cila është mbyllur, sipas tyre, në mënyrë arbitrare dhe me arsyetim jo të mirë.
Protestuesit me thirrjen “Mos na lini fëmijët pa shkollë”, thanë se janë në pyetje 116 nxënës të cilët kanë mbetur në oborrin e shkollës duke u endur dhe me shpresën që kjo shkollë do të hapet shumë shpejt, raporton Ekonomia Online.
Protestuesit thanë që kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, e ka mbyllur shkollën me arsyetim që nuk ka buxhet. Sipas tyre, buxheti ekziston, por ai e ka keqpërdorur.
Ismajl Hoti, kryetar i sindikatës së shkollës “Shotë Galica” në Abri të Epërme, tha se që 6 javë nxënësit e kësaj shkolle po sillen në oborr, duke pritur të mbajnë mësim.
“Kjo protestë po mbahet për hapjen e shkollës në lagjen ‘Muliqi 2’, sepse prej fillimi tani java e 6 e mësimit nxënësit i kemi në oborrin e shkollës pa u përfillur nga askush me një vendim arbitrar të kryetarit të Komunës. Nxënësit sillen tani në oborr që një muaj, nuk di a ndodh kjo dikund me të vërtetë. Ministria e Arsimit ka kthyer një përgjigje pozitive se gabimi është i komunës së Drenasit. Atje thonë që gabimi nuk është te ne. Me të vërtetë nxënësit janë ata që pësojnë më së shumti, janë të familjes Deliu, Muliqi, Hysenaj të gjitha që kanë dhënë për lirinë e Kosovës. Është numër i madh i nxënësve të familjeve të tyre dhe sot na mbeten në oborr afër një muaj dhe dikush duhet të marrë përgjegjësi për këtë”, tha ai.