Banka Botërore do të vazhdojë mbështetjen e Kosovës në bujqësi, përkatësisht në avancimin e sistemit të ujitjes së tokave bujqësore, transmeton Gazeta Metro.
Kjo u theksua në takimin që Ministrja e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Dijana Zivic pati me zyrtarët e Bankës Botërore.
“Me këtë rast, Ministrja Zivic, i falënderoi përfaqësuesit e Bankës Botërore për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë ofruar dhe po i ofrojnë sektorit të bujqësisë dhe theksoi rëndësinë e projekteve të BB-së në realizimin e projekteve të përbashkëta në zhvillimin dhe avancimin e sektorit të bujqësisë, ku sipas saj projekte të tilla janë të domosdoshme për zhvillimin e mëtejmë të bujqësisë”.
“Nga ana e tij, David Michaud, menaxheri i praktikës për praktikën globale të ujit me bashkëpunëtorë shprehën përkushtimin e tyre që të vazhdojnë të mbështesin sektorin dhe konkretisht të investojnë në zgjerimin e sistemit të ujitjes së tokave bujqësore”, shkruhet në komunikatën e dërguar nga MBPZHR-JA.
Palët u pajtuan që të kenë koordinim të vazhdueshëm për realizimin e projekteve të reja mes MBPZHR-së dhe BB-së për zhvillimin dhe fuqizimin e bujqësinë në Kosovë./gazetametro.net