Loading…

Ballkan ‘diplomaci’: Kurti ‘burrë i vështirë’ e Vucic ‘viktima’ bllokuan dialogun

  • 15/06/2021 | 18:54

Ballkan ‘diplomaci’: Kurti ‘burrë i vështirë’ e Vucic ‘viktima’ bllokuan dialogun

Tifozëri e brohoritje me deklarata ndezëse ishin pritur nga takimi në Bruksel nga të dy palët, pas takimit mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic, që lirisht mund të quhet fiasko. Rezultati zero, aq sa Miroslav Lajcak, ndërmjetësuesi i Bashkimit Europian mezi lidhi ca fjali e tha se takimi ishte mirë që ndodhi, kaq. Borrell dhe Lajcak kishin proklamuar se palët do të kontribuonin në agjendën e dialogut, aq mirë e shfrytëzuan kosovarët e serbët sa e bllokuan dialogun me kërkesa që asnjëra palë s’do t’i pranonte kurrë. Sikur ta dinte BE’ja se do t’i ndodhte kjo pikërisht tash kur presidenti Biden po qëndron në Europë dhe e ka në xhep dekretin për sanksione, transmeton Gazeta Metro.


Kryeministri kosovar Kurti doli pas Presidentit Vucic përpara reporterëve e të dy kishin tregime të ndryshme se si shkoi biseda por një gjë e kishin të përbashkët, s’pajtohen për asgjë përveç se do të bisedojnë kur t’i thërrasin në Bruksel.

Vucic shpesh e luan rolin e viktimës para mediave sa i përket Kosovës e njëjtë bëri edhe sot. Vucic zakonisht shton tallje, përbuzje për palën kosovare, shtirje se ishte i shqetësuar deri në lot e pagjumësi për fatin e serbëve në Kosovë – kështu bëri edhe sot.

Vucic tha se nuk di a të qajë a të qesh me papërgjegjësinë dhe mungesën e logjikës së palës tjetër. Ai shtoi se Kurti ka shpalosur kërkesa të paarsyeshme në dialog, njërën e quajti çmenduri, formimin e një Këshilli Nacional të Serbëve në Kosovë të ngjashëm me atë në Serbi për pakicat shqiptare e boshnjake në Serbi në vend të Asociacionit të Komunave Serbe.

Kurti tentoi ta shtrojë si përmirësim të marrëveshjeve paraprake të nënshkruara nga qeveritë paraprake kosovare (që doli të jenë jo legjitime shtoi ) zgjidhje të çështjes ‘zajednica’ që e kishte parullë opozitare në tavolinën e negociatave duke ditur se si BE’ja dhe Serbia këmbëngulin për Asociacionin e që tash është nënshkruar si traktat ndërkombëtar tashmë (Lajcak i acaruar kishte rrëshqitur e pati porositur kosovarët dikur të ndryshojnë kushtetutën e të miratojnë asociacionin). Kjo e kishte zemëruar fort si duket Vucic që u tall se nuk e paskemi ditur se Jezu Krishti ka lindur më 14 shkurt, ditën kur Kurti fitoi zgjedhjet.

Tjetra që e pengoi Vucic ishte kërkesa e Kurtit që t’i imponoj atij përzgjedhjen e zyrtarëve serbë – rasti i Veljko Odalovic ishte theksuar nga të dy gjatë në adresimin e tyre para reporterëve. Odalovic ka shërbyer në regjimin e Milosevic në të nëntëdhjetat e shekullit të kaluar, ndërsa sot kryeson Komisionin për të zhdukurit në pushtetin e Vucic. Paralelja që Kurti i ka bërë rastit me pushtetin nazist në takim ka nxehur fort si duket Vucic që tha se të shara nuk kishte, por mjaft afër. I deleguari për dialog i palës tonë Besnik Bislimi kishte tentuar të sqarojë sot se Kurti nuk e kishte quajtur nazist Vucicin, por afër diku aty. Vucic kërkoi që 9 lokacione të dyshuara për varreza masive të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë i kanë shtruar si kërkesë, që Kurti nuk e ka pranuar pa e përzënë Odalovic.

Një tjetër marrëveshje që Kurti e ka përmendur edhe në takimin tjetër të tensionuar me Brnabic ishte ideja e tij për marrëveshje ekonomike, jo CEFTA por SEFTA, që do të zëvendësonte mini shengenin e famshëm dhe këtë në fuqi tani, me kusht që Kosova të nënshkruaj si palë e barabartë.

Zor se do ta pranonte Vucic këtë kërkesë të Kurtit, që të gjitha kërkesat i kishte që Serbia të pranoj pavarësinë e Kosovës. Që u shtrua edhe një herë me kërkesën e radhës të Kurtit për një lloj marrëveshje armëpushimi mes dy shteteve ku zotoheshin se nuk do të sulmonin njëri tjetrin.

Kryeministri Kurti shtroi edhe kërkesën e pranimit të pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, që e tha se është përfundimi i dialogut, njohja e ndërsjellë. Vucic, siç pritej e siç e ka thënë shpesh: “Kurrë”.

“Në propozimin e parë nuk më dhanë përgjigje, tri të tjerat i refuzuan. Shpresoj se Vucic e Selakovic të mendojnë më seriozisht për pranimin e këtyre propozimeve” ka thënë Kurti para reporterëve.

Fort vështirë që Vucic do t’i ketë në konsideratë këto propozime të Kurtit. Sa për vete presidenti serb tha se ai ka kërkuar që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e nënshkruara deri tani dhe u ankua se nuk ka qenë kurrë pjesëmarrës në kësi takimi.

Vucic që ka kohë që ankohet rreth dialogut dhe ngathtësisë së BE’së këtë herë qëndroi anash dhe i lavdëroi duke i vlerësoi konstruktiv si Borrell dhe Lajcak. Menjëherë u pyet për Biden, që gjendet atje e tha se shpreson se Borrell do ta njoftoj atë. Vucic disa herë ka futur në kritikat e tij ish presidentin amerikan Donald Trump, javëve të fundit në relacion me dialogun dhe BE. Vucic vazhdimisht përmend kompromisin, ku nuk pranon që njëra palë t’i humbë të gjitha. Se çka është kompromis për Vucic spekulohet vazhdimisht se është një lloj ndarje e Kosovës (përkufizim dhe korrigjim i kufijve) që ishte folur në kohën e Federica Mogherini si ndërmjetëse dhe ishte diskutuar në qarqet amerikane spekulohet po ashtu. Ky opsion u la anash por premtimet Vucic se do të ketë kompromis kanë mbetur, siç kanë thënë edhe amerikanët dhe europianët, me njohje të ndërsjellë të theksuar nga SHBA në deklaratat e vazhdueshme për dialogun.

Kurti po ashtu e përmendi se duhet shfrytëzuar mandatin e zotërinjve Borrell dhe Biden për të përfunduar dialogun.

Zotërinjtë Borrell dhe Biden kanë bashkërenduar qasjen e tyre ndaj shumicës së çështjeve e mospajtimeve të trashëguara nga administratat e kaluara, si europiane dhe amerikane. Diplomati amerikan Matthew Palmer e ka bërë me dije se europianët udhëheqin në dialog siç e kishte bërë më parë edhe Sekretari i Shtetit Blinken.

Tash i mbetet Borrell që do të takoj Biden siç ishte paralajmëruar por këtë herë jo vetëm për marrëdhëniet e përmirësuara pas Trump por edhe për liderët e dalldisur ballkanas.

Kryeministri Kurti me këto propozime që tingëllojnë më shumë si ultimatume për serbët dhe të kundërta edhe me idenë e BE’së për procesin e dialogut dhe po shkon edhe një herë drejt e në përplasje të re me ndërkombëtarët, europianët këtë herë që kanë karotën dhe miqtë amerikanë prapa këtë herë, me shkopin dhe gatishmërinë ta përdorin. Sali Berisha e Shqipëria janë dëshmitar. Grenell dhe Trump nuk do të mund të jetë arsyetim këtë herë për kryeministrin Kurti kur do të ballafaqohet me ndëshkimin nëse urdhri ekzekutiv të Joe Biden për sanksionim të çdo politikani ballkanas që destabilizon rajonin me sabotim të marrëveshjeve.

Terrenin gati e ka Kryeminsitri Kurti për arsyetim, zgjedhjet, dhe një periudhë stagnimi i izolimi të Kosovës për një kohë të gjatë përsëri, siç e paralajmëroi në kuvend me krekosje prej një politikani autoritar. KQZ’në ja rregulloi Presidentja Vjosa Osmani – Sadriu kur e përzuri kryetaren Valdete Daka pa hezituar fort me një vendim të diskutueshëm e me shumë gjasë të kontestuar.

Vucic e ka lehtë, vetëm del e qahet se s’ka çfarë të bëj që kjo çështje nuk është në duart e tij e se po bën çfarë mundet të mbroj popullin serb në Kosovë duke ruajtur status quo në Kosovë. Populli kosovar do të vuaj status quo në anën tjetër me një ngecje diplomatike për shkak të kryeneqësisë të edhe një lideri kosovar./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë