Loading…

Bahtiri i përgjigjet PDK’së: Ju jeni bashkëpunëtorë të strukturave paralele

  • 16/12/2016 | 12:55

Bahtiri i përgjigjet PDK’së: Ju jeni bashkëpunëtorë të strukturave paralele

Në reagimin e Kryesisë së Degës së AKR-së në Mitrovicë lidhur me akuzat e Degës së PDK-së ndaj kryetarit Agim Bahtiri, thuhet se kryesia e AKR-së i ka dhënë mbështetje të plotë Agim Bahtirit për veprimet e ndërmarra, duke thënë se janë të bindur se populli i ka identifikuar njerëzit të cilët janë bashkëpunëtor të strukturave paralele serbe.

Ky është njoftimi i plotë i AKR-së në Mitrovicë:

Kryesia dhe anëtarësia e Degës së AKR-së në Mitrovicë janë të bindur se populli i ka identifikuar njerëzit të cilët janë bashkëpunëtorë të strukturave paralele serbe dhe që po e rrisin pasurinë e tyre që se kap mendja e njeriut normal, prandaj këtë asnjëherë mos të harrojnë PDK-ja e Mitrovicës

Kryesia e Degës së AKR-së në Mitrovicë, në mbledhjen e jashtëzakonshme mbajtur më 15.12.2016, ka shqyrtuar gjendjen e sigurisë në komunë dhe ka diskutuar për akuzat e pa baza dhe absurde të PDK-së ndaj kryetarit të Komunës dhe të Degës së AKR në Mitrovicë, Agim Bahtiri, se kinse ai ka bërë marrëveshje me kryetarin e komunës së Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, për vendosjen e murit në pjesën veriore të qytetit, afër urës kryesore mbi lumin Ibër.

Kryesia e Degës së AKR-së i dha mbështetje të plotë Kryetarit Agim Bahtiri në veprimet e ndërmarra dhe shumë të matura prej një lideri evropian, në shërbim të paqes dhe ruajtjes së qetësisë, duke pasur gjithmonë se në qendër të vëmendjes ka qytetarin dhe interesat e tyre e të komunës.

Anëtarët e Kryesisë së Degës së AKR-së, janë të bindur se mendësia mesjetare dhe primitivizmi serb asnjëherë nuk duhet të ngadhënjejnë mbi arsyen dhe kulturën qytetare evropiane, që po e tregojnë qytetarët e Mitrovicës dhe lideri i tyre, Agim Bahtiri.

Për ne, Evropa e shekullit 21 nuk njeh kufij, nuk njeh mure ndarëse mes njerëzve, nuk njeh dhunë dhe konflikte. Përkundrazi, ajo njeh integrim, shkrirje kufijsh, ura bashkimi, respekt dhe gërshetim kulturash mes njerëzve, mes popujve.

Fatkeqësisht, drejtuesit e Degës së PDK-së në Mitrovicë, edhe kësaj radhe, vetëm sa për të ruajtur elektoratin edhe ashtu të tkurrur në Mitrovicë, në Drenas, e në çdo cep të Kosovës, u pozicionuan në anën e së keqes, ose në shërbim të së keqes. Si po duket atyre asnjëherë nuk u ka interesuar integrimi i qytetit.

Veprimet dhe sjelljet e pamatura të udhëheqjes së PDK-së në Mitrovicë, tregojnë as që u intereson se çka po ndodhë me murin në Mitrovicë, por më shumë u intereson Kryetari Agim Bahtiri dhe fuqizimi i tij i përditshëm si drejtues i komunës dhe politikan i matur, duke mos zgjedhur mjete për ta njollosur, sepse si duket, kështu i ka ushtruar UDB-ja e Serbisë, SHISH-i i Shqipërisë dhe SHIK-u i Kadrisë.

Kryesia dhe anëtarësia e Degës së AKR-së në Mitrovicë janë të bindur se populli i ka identifikuar njerëzit të cilët janë bashkëpunëtorë të strukturave paralele serbe dhe që po e rrisin pasurinë e tyre që se kap mendja e njeriut normal, prandaj këtë asnjëherë mos të harrojnë PDK-ja e Mitrovicës.

Po ashtu, ne jemi të bindur se tashmë qytetarët e Mitrovicës e dinë shumë mirë se kush po krijon probleme dhe po mundohet që të eskaloj situata me çdo çmim, vetëm që të shpëtojnë dhe ruajnë feudet e tyre. Andaj, i themi PDK-së në Mitrovicë, që të harroj se mund të manipuloj me qytetarët e Mitrovicës dhe të fus ata në grackën e djallit.

Qytetarët e Mitrovicës tani kanë një kryetar që mendon për ta, një kryetar që punon për ta në çdo çast, një kryetar që di t’i udhëheq ata drejt integrimeve dhe kujdeset për ta dhe familjet e tyre. Për kryetarin Bahtiri dhe AKR-në në Mitrovicë, jeta e çdo qytetari është më e vlefshme se sa një grusht i votave që drejtuesit e PDK-së po përpiqen të fitojnë në kurrizin e popullit.

Kryesia e Degës së AKR në Mitrovicë fton njerëzit e mirë të PDK-së që të bashkohen rreth kryetarit Agim Bahtiri dhe ta përkrahin atë në vizionin e tij për Mitrovicën qytet Evropian të paqes, pa barrikada të ndryshme, pa kufij me tela gjembor, pa mure ndarëse. Në fund të fundit shqiptarët gjithmonë kanë ditur të solidarizohen kur ka qenë në pyetje liria dhe paqja. E Agim Bahtiri është njeri i paqes, i dashurisë dhe respektit mes njerëzve.

Dega e AKR-së në Mitrovicë u bënë thirrje institucioneve shtetërore, Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, që të harmonizojnë qëndrimet e tyre për largimin e murit dhe të përkrahin Kryetarin Agim Bahtiri në ruajtjen e paqes, rendit e të qetësisë dhe zhvillimin e projekteve që krijojnë ura bashkimi mes njerëzve e që fatmirësisht çdo ditë po gjen përkrahje nga institucionet qendrore dhe ato ndërkombëtare.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë