Zyrtari i lartë palestinez ka thënë se Autoriteti Palestinez nuk do të lejojë një grup të vogël rebelësh të fusin Palestinezët në një konflikt me Izraelin, transmeton Gazeta Metro.
Autoriteti Palestinez u ka ofruar anëtarëve të të ashtuquajturve ‘Strofka e Luanit’ në Nablus t’i dorëzohen forcave të sigurisë palestineze dhe të shpartallojnë grupin e tyre të armatosur, që është përgjegjës për një varg sulmesh terroriste në Izrael dhe ndaj banorëve hebrenj në rajonin e Nablus.
Në këmbim të kësaj Autoriteti Palestinez do të provojë të bindë Izraelin që të ndalojë ndjekjen e këtij grupi.
Ditëve të fundit Autoriteti Palestinez ka negociuar me ta dhe i ka këshilluar edhe familjarët e tyre që t’i këshillojnë ata të lëshojnë armët. “Synimi është t’i jepet fund fenomenit të ‘strofkës së luanëve’ për të shmangur katrahurën në Nablus”.
Autoriteti Palestinez ka shqyrtuar mundësinë edhe të rekrutimit të tyre në forcat e sigurisë palestineze si garanci.
Një zyrtar i lartë palestinez i ka thënë gazetës izraelite The Jerusalem Post se Autoriteti Palestinez nuk do të lejojë një grup të vogël rebelësh të fusin Palestinezët në një konflikt të madh me Izraelin.
“Anëtarët e familjes së tyre janë paralajmëruar se djemtë e tyre do t’i jepnin një shkas Izraelit të nisë një operacion ushtarak në shkallë të gjerë në Nablus, ku shumë njerëz do të vriteshin e plagoseshin” ka thënë ky burim.
Ibrahim Ramadan që është guvernatori i Nablus nga Autoriteti Palestinez ka zbuluar të mërkurën se ai ka mbajtur disa takime me strokën e luanëve në përpjekje për t’i bindur t’i dorëzohen forcave të sigurisë të Autoritetit Palestinez. Ramadan në një intervistë me radion lokale palestineze, i ka thënë paramilitarëve se do t’i mbronin kur të binden. “Oferta ime vlen edhe ende nëse më dëgjojnë” tha Ramadan. “Nëse vijnë, ne do t’i mbrojmë. Nuk e kemi problem. Mund të gjejmë zgjidhje me palën tjetër.”
I pyetur nëse e pranuan apo refuzuan këtë ofertë guvernatori tha se “disa thanë se do të mendohen, të tjerët thanë jo. Këta djem të ri që nuk e kuptojnë vlerën e vërtetë të gjakut të tyre. Unë jam i gatshëm të shkoj që tani dhe t’i nxjerr nga qyteti i vjetër.”
Ramadan përpos ofertës ia ka dalë që edhe të zemërojë krahun ekstremist në Nablus kur shprehu kundërshtimin e tij ndaj sulmeve të armatosura ndaj Izraelit, duke i cilësuar si të padobishme.
Ai kritikoi poashtu nënat palestineze që kanë dërguar apo inkurajuar bijtë e tyre të kryejnë sulme vetëvrasëse ndaj izraeliteve. “Këto janë nëna anormale që dërgojnë bijtë e tyre” theksoi Ramadan.
“Këto nuk janë nëna. S’ka nënë që dërgon të birin e saj të vdesë”.
Grupi i ashtuquajtur ‘strofka e luanëve’ që përbëhet nga paramilitarë të ndërlidhur me fraksione palestineze si Fatah, Hamas, Xhihadi Islamik dhe Fronti Popullor i Çlirimit të Palestinës, nuk komentuan ofertën e guvernatorit Ramadan që të dorëzohen forcave të sigurisë së Autoritetit Palestinezë. Grupi megjithatë, e akuzoi atë se paska ofenduar nënat e ‘martirëve’ dhe i kërkuan dorëheqjen .
“Mesazhi ynë për nënat e martirëve: Ua puthim duart, këmbët dhe kokën. Ju jeni liderët e ne ushtarët” thuhej në komunikatën e ‘strokës së luanëve’./gazetametro.net