Loading…

‘Autonomi që çon në federalizim’: Drafti i Asociacionit i dorëzuar nga BE’ja, shqetësues për opozitën

  • 09/12/2023 | 23:05

‘Autonomi që çon në federalizim’: Drafti i Asociacionit i dorëzuar nga BE’ja, shqetësues për opozitën

Drafti i Asociacionit që iu dorëzua Kosovës e Serbisë, vazhdon të jetë kryetemë, e po përcillet me shumë reagime. Edhe një herë për draftin ka folur kryeparlamentari Konjufca. Ai, nuk sheh mundësi që Asociacioni të bëhet pa hapat e Serbisë drejt njohjes së Kosovës.


Ky draft opozitës i ka shkuar tash së voni. Haradinaj, i cili i pari bëri me dije se e ka lexuar draftin, tërë dokumentin e quajti shqetësues. Në PDK deputetëve tashmë u është shpërndarë drafti, ndërsa Abdixhiku thekson se kydraft është autonomi që çon në federalizim.

Megjithatë, ai theksoi se do të marrë pjesë në takimin e paralajmëruar te presidentja sapo ta marrë ftesën. Nga presidenca bëjnë me dije se kjo ftesë së shpejti do t’u shkojë partive për takim.

Draft-statuti për Asociacionin, i hartuar nga diplomacia perëndimore, iu dorëzua dy Qeverive në Kosovë e Serbi në fund të tetorit. Por, kryeparlamentari Konjufca thekson se kërkesa perëndimore për ngritjen e asociacionit nuk do të plotësohet, nëse nuk i bëhet trysni Serbisë për hapat drejt njohjes së Kosovës.

Madje, Konjufca ka theksuar se nuk i takonte Bashkimit Evropian ta paraqiste projekt-statutin për asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Rendi normal i gjërave është që Republika e Kosovës ta prezantonte në statut të tillë. Ky ka qenë edhe qëndrimi i qeverisë sonë, një qëndrim shumë i drejtë dhe parimor, të cilin unë e mbështes. Sa i përket Bashkimit Evropian, po mundohem ndoshta ta shpjegoj arsyen se janë ngutur me propozimin e një statuti të tillë. Kjo ka të bëjë kryesisht me faktin që procesi ndoshta ngeci. Marrëveshja e Ohrit nuk u nënshkrua nga ana e Serbisë. Pastaj ndodhi sulmi terrorist dhe akti i agresionit të Serbisë mbi Kosovën, në fshatin Banjskë më 24 shtator. Pastaj bashkësia ndërkombëtare e kuptoi që ndoshta kjo për një periudhë mjaft të gjatë do ta bllokojë procesin politik dhe procesin e dialogut me Serbinë. Pikërisht për këtë arsye janë ngutur që ta propozojnë një statut, duke ia marrë një kompetencë vetë Republikës së Kosovës dhe shtetit të Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Draft statuti i Asociacionit iu dorëzua së voni edhe partive opozitare në vend. Ramush Haradinaj, i cili i pari theksoi se e ka lexuar, e ka quajtur gjithë dokumentin shqetësues. Në veçanti shqetësuese ai e sheh Komisionin e Arbitrazhit, duke theksuar se në këtë pikë “bie fuqia e cilitdo institucion ligjor në Kosovë”.

Këtë draft nuk po e përkrah as Lidhja Demokratike e Kosovës. Lumir Abdixhiku thekson se Drafti për Asociacionin është autonomi që çon në federalizim. Megjithatë, ai theksoi se do të marrë pjesë në takimin te Presidentja sapo ta marrë ftesën.

Abdixhiku po ashtu theksoi se partia në pushtet, Vetëvendosje, tashmë e ka kuptuar se Kosova do të duhej ta bënte vetë draft-statutin e Asociacionit.

Në PDK sot nuk kanë dhënë ndonjë koment. Por, deputetja e kësaj partie, Ariana Musliu – Shoshi, u shpreh e rezervuar, duke thënë shkurtimisht për Radion Evropa e Lirë se deputetët e PDK-së nuk e kanë marrë draft-statutin e Asociacionit për ta lexuar dhe shqyrtuar, pasi drejtuesit e partisë nuk ua kanë dorëzuar ende. /RTK

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë