Të premten autoritetet austriake arrestan një 18-vjeçar me origjinë shqiptare i cili dyshohej për planifikim të një sulmi terrorist në metronë e Vjenës.
Por një ditë më pas, ndërsa situata është qartësuar, duket se mungojnë faktet bindëse kundër të arrestuarit, raporton Top Channel.
Shtypi austriak shkruan se i dyshuari, me nënshtetësi austriake dhe origjinë shqiptare, i identifikuar si Lorenc K., u mor në pyetje gjatë natës nga hetuesit, të cilët nuk kanë folur në detaje për atë që kanë zbuluar.
Mësohet se babai i të dyshuarit jeton gjithashtu në Austri, por duket se nuk kishte dijeni për planet e mundshme të të birit. Disa avokatë të famshëm në Austri janë të gatshëm të marrin përsipër mbrojtjen e tij dhe kjo konsiderohet si një shenjë se provat kundër tij mungojnë.
Në orët e para pas arrestimit të tij, policia austriake tha se veproi bazuar në informacionet e një shërbimi të huaj inteligjent dhe pasi përgjoi të dyshuarin për disa ditë vendosi ta arrestonte.
Pas kontrollit të një apartamenti ku ai kishte qëndruar nuk u gjet asnjë mjet shpërthyes apo armë e ndonjë lloji tjetër. Hetuesit thanë se kanë gjetur disa telefona celularë.