Loading…

Asociacioni – marrëveshja që duhet zbatuar

  • 02/02/2022 | 20:23

Asociacioni – marrëveshja që duhet zbatuar

Qeveria e Kosovës nuk duhet ta refuzojë krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nëse ai themelohet në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës, thotë ish-ministri i Vetëqeverisjes Lokale në Kosovë, Sadri Ferati.


Marrëveshjen për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia e kanë arritur në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Zbatimi i marrëveshjes në terren, megjithatë, ka ngecur.

Qeveria aktuale e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, thotë se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik. Serbia insiston në krijimin e tij.

Për shkak të këtyre mosmarrëveshjeve, Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq – si bartës të dialogut – nuk janë takuar qysh në korrik të vitit të kaluar.

Ferati thotë se Asociacioni nuk duhet të jetë mjet i përplasjeve të mëtejme, por, sipas tij, duhet të shndërrohet në një instrument, përmes të cilit komuniteti serb integrohet në sistemin e Republikës së Kosovës.

“Derisa ekziston formulimi që Asociacioni duhet të bëhet me ligjet e Kosovës dhe në pajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe, pastaj, kur të hartohet statuti i tij, ai të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, vlerësohet se [ky asociacion] nuk mund ta dëmtojë Kosovën”, thotë Ferati.

Çka është Asociacioni i komunave me shumicë serbe?

Pse Asociacioni është problematik për Kosovën?

Violeta Haxholli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës “duhet të ketë kujdes për atë se si do ta shfrytëzojë shteti serb Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë”.

“Assesi nuk duhet të lejohet që ky asociacion të bëhet instrument i Qeverisë në Serbi, që në të ardhmen ta shfrytëzojë për të krijuar struktura të tjera, të cilat do ta sabotonin Republikën e Kosovës”, thotë Haxholli.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë këtë javë, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i kanë porositur autoritetet kosovare se “të gjitha marrëveshjet e deritashme, të arritura në dialogun Kosovë-Serbi, duhet të zbatohen”.

“Ne po kërkojmë nga të dyja palët [Kosova dhe Serbia] që të jenë konstruktive, t’i ofrojnë vizionet e tyre se si duhet të duket Asociacioni dhe pastaj të negociojnë prej aty, në kuadër të dialogut”, ka thënë Escobar.

“Nuk duhet të jenë ato modele që minojnë sovranitetin apo funksionalitetin e Kosovës… Ato mund të gjenden, mund të negociohen dhe mund të dakordohen. Ky është qëllimi i dialogut”, ka thënë ai.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Veprime Afirmative Shoqërore në Mitrovicën e Veriut, Miodrag Marinkoviq, vlerëson se Asociacioni i komunave me shumicë serbe ka marrë mbështetje ndërkombëtare, sepse “është bërë pikë kompromisi – ashtu si SHBA-ja dhe BE-ja e shohin kompromisin”.

“Gjithçka tregon se qëndrim i tyre aktualisht është [krijimi i] Asociacionit për njohjen e pavarësisë [së Kosovës nga Serbia]. Në një situatë të tillë, Asociacioni i komunave serbe duhet të ketë kompetenca që e kënaqin Beogradin, sepse, në të kundërtën, Beogradi as që do ta diskutojë atë çështje”, thotë Marinkoviq.

Duke folur për gazetarët të mërkurën, Kurti ka thënë se Kosova nuk frikësohet për zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin, porse Qeveria e tij është “e kujdesshme” dhe “mbron interesat e vendit”.

Kurti ka theksuar nevojën për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, e cila do të përfshinte “njohjen reciproke”.

“Ne kemi dhënë propozimet tona në takimet që kemi pasur në Bruksel dhe jemi konstruktivë për bisedimet e ardhshme në dialogun që zhvillohet – i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Parimi i reciprocitetit është parim i shëndoshë i marrëdhënieve të mira fqinjësore”, ka thënë Kurti.

Kurti ka përmendur parimin e reciprocitetit qysh në takimin e parë që ka zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në qershor të vitit të kaluar.

Në atë takim, Kurti ka thënë se i ka propozuar Vuçiqit disa ide të reja, porse ato nuk janë pranuar.

Kurti ka thënë se, mes tjerash, ka propozuar që pas njohjes së ndërsjellë, sa u përket pakicave, të aplikohet parimi i reciprocitetit bilateral, duke u krijuar një këshill nacional për serbët në Kosovë, ashtu siç e kanë shqiptarët që jetojnë në Serbi.

Vuçiq, në atë takim, ka thënë se nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës. /rel

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë