Zyra e kryeministrit, Albin Kurti, ka dhënë detaje për takimin e këtij të fundit me përfaqësuesin e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe emisarit të BE-së për dialogu Kosovë – Serbi, Mirolav Lajçak.
Siç njofton zyra e kryeministrit në këtë takim u shkëmbyen mendime mbi gjendjen dhe zhvillimet e fundit, ide për de-eskalim të situatës në veri dhe urgjenca për zbatim të Marrëveshjes Bazike e Aneksit të zbatimit.
Sipas asaj që shkruhet si duket nuk ka pasur aspak shkëmbim mendimesh mes ndërmjetësve, vetëm shkëmbim kushtesh të njërës dhe tjetrës palës. Qeveria e Kosovës në komunikatë ka përsëritur kërkesën e ndëshkimit të grupeve kriminale siç quhen në veri pa specifikuar se cilët, ngjashëm me intervistat e kryeministrit Kurti ku ankohej se po i bëhet e padrejtë, nga SHBA posaçërisht.
“Kryeministri tha se rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistë të dhunshëm dhe grupe kriminale ndaj organeve të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare si dhe gazetarëve. Ai ftoi Brukselin dhe Uashingtonin që të bëjnë thirrje për ndalim të dhunës dhe ndjekje penale e ndëshkim të kryerësve të saj”, citohet Kurti..
Më pas, Kurti ka thënë se vetëm sundimi i ligjit i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të lira. Këto kërkesa nënkuptojnë një afat të gjatë kohor për t’u zbatuar në vetvete pasi ngërthejnë veprimtari e procese afatgjate.
”Vetëm sundimi i ligjit mund t’i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të lira, demokratike e të ndershme. E tillë duhet të jetë edhe fushata parazgjedhore, theksoi kryeministri Kurti. Kandidatët dhe votuesit në zgjedhjet e reja duhet të garojnë e marrin pjesë pa frikë e kërcënime. Rendi dhe ligjshmëria sigurisht që do të zvogëlonin proporcionalisht edhe numrin e policëve në ndërtesat komunale në tri komunat veriore”.
“Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë e parezervë dhe mirëbesimin e palëkundur për angazhim intensiv e të përbashkët për de-eskalim të gjendjes dhe normalizim të marrëdhënieve”, thuhet në komunikatë.