Anulimi i konkursit ku kishte konkurruar profesori Arben Hajrullahu, i cili ka kryer të gjitha studimet në Vjenë, ka aktivizuar artistë, publicistë e shoqërinë civile, të cilët i kanë dalë krah profesorit.
E nënshkruar nga dhjetëra aktivistë që merren me Arsimin e Lartë, një letër e hapur u është drejtuar Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Këshillit Drejtues të UP’së dhe Senatit.
Aty reagohet ndaj rastit të fundit të këtij profesori, me ç’rast konsiderohet se është sulm ndaj lirisë së shprehjes.
Madje, arsyet e dhëna për anulimin e konkursit, sipas nënshkruesve, janë të papranueshme.
‘Praktika të tilla të spastrimit të zërave kritikë duhet të ndalen në institucionet publike të vendit tonë e në veçanti në Universitetin e Prishtinës i cili është i njohur si një institucion që ka lindur dhe është zhvilluar në përpjekje të përforcimit të lirisë së qytetarë e të dikur shtypur të Kosovës’, thuhet në letër.
Në letër kërkohet ndërhyrja e institucioneve relevante në rastet e dyshimta dhe të zbatojnë ligjet në fuqi më përpikëmëri. Më pas, aty thuhet që po se nuk mirren parasysh këto kërkesa, këto praktika do të nxisnin një reaksion qytetar, e sipas tyre, edhe kriza të reja në UP./gazetametro.net
Kjo është letra e plotë:
Me shqetësim të thellë po e përcjellim procesin e avancimeve në Universitetin e Prishtinës dhe rastet e veçanta të shkeljeve që tashmë janë evidentuar nga agjencitë e pavarura, organizatat që merren me arsim në Kosovë dhe vet Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në letrën dërguar rektorit Dema më 8 mars 2017.
Rasti i fundit i profesor Arben Hajrullahut në konsideratën tonë është sulm ndaj lirisë së shprehjes dhe pavarësisë së stafit akademik të Universitetit të Prishtinës. Profesor Hajrullahu ka zhvilluar gjithë studimet e tij në Vjenë si ato bazike ashtu edhe ato të doktoratës. Ai ka qenë përfitues i bursës prestigjioze Fullbright, ndërsa punimi i tij i doktoraturës është përkthyer në disa gjuhë.
Arsyet e dhëna për anulimin e konkursit ku ka konkuruar profesor Hajrullahu janë të papranueshme. Të thuhet që profesori i doktoruar në Vjenë, me doktoratë të nostrifikuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, dyshohet se nuk e ka të përfunduar nivelin bachelor të studimeve, përveç që përbën një akt tendencioz është po ashtu fyes për opinionin publik, për institucionet e Kosovës dhe Universitetin e Prishtinës.
Praktika të tilla të spastrimit të zërave kritikë duhet të ndalen në institucionet publike të vendit tonë e në veçanti në Universitetin e Prishtinës i cili është i njohur si një institucion që ka lindur dhe është zhvilluar në përpjekje të përforcimit të lirisë së qytetarë e të dikur shtypur të Kosovës.
Ne kërkojmë që institucionet relevante të ndërhyjnë sa më parë në Universitetin e Prishtinës për të hetuar të gjitha rastet e dyshimta dhe për të zbatuar ligjet në fuqi.
Në të kundërt, vazhdimi i këtyre praktikave do të prodhojë reaksion qytetar e si rrjedhim kriza të reja në Universitetin e Prishtinës.
Prishtinë, 7 prill 2017
Nënshkruesit e letrës:
Arton Demhasaj – Çohu
Ares Shporta
Albert Heta
Besa Luzha
Granit Gashi
Ilir Bajri
Igballe Rogova
Jeton Neziraj
Kushtrim Koliqi – Integra
NumizmatikaKosova
Petrit Gora
Rron Gjinovci – ORCA
Sali Shoshi
Selatin Kaçaniku
Shkëlzen Gashi
Shkelzen Maliqi
Shpend Emini – D4D
Vullnet Sanaja