Kandidatja për deputetet nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Shala, është arsyetuar për djegien e flamurit të Kosovës para disa vite.
Ajo ka thënë se ka pasur protesta spontane kundër emblemave për shkak se janë parë si rezultat i korrupsionit.
“Unë e pranoj që kam manifestuar shpesh kundër kapjes së shtetit. Kundër kapjes nga ndërkombëtarë, kur na përcaktonin simbolet si indigjeneve dikur në Afrikë. Kundër kapjes nga Kisha Ortodokse Serbe, kur na teshin me demagogji. E kundër kapjes nga mafia jonë, që na le pa të ardhme”.
“Gjatë këtyre manifestimeve mund të ketë patur edhe protesta spontane kundër emblemash të ndryshme, që janë parë si derivate të korrupsionit. Qoftë nga ndërkombëtarë, nga Serbia, a nga shteti ynë i kapur. Kjo është mënyra e njohur e shprehjes së pakënaqësisë, prej SHBA-ve, e Skandinavisë, e gjer në Australi. Unë për vete mundohem të kuptoj e të luftoj arsyet e pakënaqësive”, ka shkruar ajo në një reagim në Facebook.
Ajo nuk e ka parë si shumë problematike djegien e flamurit të Kosovës, madje e ka cilësuar si veprim normal të shprehjes së pakënaqësisë.
“Unë dua shtet, por jo çdo lloj shteti. Një shoqëri ku qytetarët duhet t’i shërbejnë shtetit quhet diktaturë. Demokraci quhet kur shteti u shërben qytetarëve. Nëse shteti cenon kundërligjshëm liritë e qytetarëve, është obligim moral i qytetarit që të shprehë pakënaqësi. Them se ky në fakt është vete thelbi i demokracisë”.
“Kundërshtaret e mi mund të thonë se ky qëndrim më diskualifikon nga politika. Por mua vjen keq pse ata janë kaq analfabetë. Unë për vete them se mu ky qëndrim, e gatishmëria ime që të jetoj ashtu si mësoj, më bën të denjë për parlament”.
“Jam kjo që jam. Kështu jam gatuar, kështu di ta dua unë Kosovën. Pa hile, pa dredha, pa kompromise. Dhe s’e kam hiç ndërmend të ndryshoj për të tjerë”, ka shkruar ajo në llogarinë e saj në Faceebook.
https://gazetametro.net/e-ulet-dikur-dogji-flamurin-e-kosoves-sot-kandidon-per-deputete-te-kuvendit-nga-vvja/