Policia e Kosovës gjatë ditës së sotme ka arrestuar një zyrtarë të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Personi i arrestuar dyshohet se i ka kërkuar para një qytetari, për t’i ndihmuar në një rast që viktima e kishte në Gjykatë, transmeton Gazeta Metro.
Policia ka njoftuar se Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike në Prishtinë (NJRHKEK-Prishtinë) ka pranuar një informatë lidhur me një zyrtar nga Gjykata Themelore, i cili dyshohet ka kryer veprën penale “Marrje e Ryshfetit”.
Zyrtari në fjalë dyshohet se i kishte kërkuar një qytetari para për t’i ndihmuar në një rast që viktima e kishte në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me një lëndë.
“Pas pranimit të Informatës në fjalë dhe verifikimeve profesionale, Policia e Kosovës (NJRHKEK – Prishtinë) ka ndërmarr veprime të menjëhershme duke përfshirë edhe aplikimin e metodave të sofistikuara teknike të hetimit, dhe kanë arritur që të dyshuarin (zyrtar i Gjykatës) ta arrestojnë në flagrance”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Personi i dyshuar për Veprat Penale të Korrupsionit si “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 dhe “Marrja e ryshfetit” nga neni 428 i KPRK-së, pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kompetent është derguar në mbajtje prej 48 orëve./gazetametro.net